Në vijim të dhurimit të parë për Policinë e Shtetit dhe për Drejtoritë Vendore të Policisë, PAMECA V, në bashkëpunim me dhe në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian, ka dhuruar për Institutin e Policisë Shkencore, pajisje për mbrojtjen personale, që përfshijnë 560 veshje pune teknike, 6000 doreza, 2000 maska për fytyrën dhe 65 litra alkool etilik.
Këto pajisje për mbrojtjen personale i dhurohen Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit si ndihmë ndaj masave parandaluese kundër përhapjes së virusit COVID-19 dhe për qëllimet e nevojave të hetimit të vendit të ngjarjes.
Zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj falënderoi z. D`Achille për këtë iniciativë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Shtetit, duke iu referuar veçanërisht këtij dhurimi të nevojshëm për Institutin e Policisë Shkencore.
Drejtuesi i Projektit PAMECA V z. Carlo D`Achille deklaroi gjatë ceremonisë së dhurimit se bashkëpunimi me PSH-në konsiderohet të ketë një rëndësi të madhe për PAMECA V dhe vlerësoi lart mundësinë për të ofruar një mbështetje të tillë të dobishme gjatë kësaj kohe të vështirë.