Policia e Durrësit ka ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë, administratorin e një lokali, pasi u konstatua se ushtronte aktivitet me muzikë live, në kundërshtim me Aktin Normativ.
Gjithashtu ka proceduar penalisht, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, edhe dy shtetas, të cilët janë evidentuar gjatë kontrolleve në plazhe për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që zaptojnë hapësirën publike duke vendosur shezlongë në mënyrë të paligjshme.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Njësinë Administrative Ishëm, një lokal që ushtronte aktivitet me muzikë live, në kundërshtim me Aktin Normativ.
Për këtë subjekt me pronar shtetasin A. E., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Policia e Durrësit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
_
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që zaptojnë hapësirën publike duke vendosur shezlongë në mënyrë të paligjshme, proceduan penalisht shtetasit:
-B. T., 49 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm.
-E. Sh., 27 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm.
Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Shetaj u konstatua se shtetasit e mësipërm kishin zënë me shezlongë, një sipërfaqe të plazhit publik, pa lejen e organeve përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.