Durrës – Kontrolle përgjatë vijës bregdetare në lokale, në kuadër të respektimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Mbrëmjen e djeshme janë ushtruar kontrolle në disa lokale në zonën e plazhit të Durrësit nga drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Zv/Drejtori i Policimit në Komunitet pranë DVP Durrës, Drejtues Agron Çeli, në një prononcim për mediat shprehu gatishmërinë e të gjithë efektivëve të Policisë Durrës në punën për respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme në ambiente, lokale dhe mjedise ku grumbullohen njerëz, si dhe në zbatimin e të gjitha masave ligjore ndaj atyre që nuk zbatojnë Aktet Normative.

Gjatë kësaj periudhe, nga ana e uniformave blu janë vendosur rreth 10 masa administrative për shkelje të ndryshme, si për mosrespektimin e distancës midis individëve, grumbullimet për ceremoni martesore apo muzikën pas orës 20:00.

Toleranca do të jetë zero për cilindo që nuk respekton dispozitat normative të nxjerra në funksion të pandemisë, duke garantuar që nuk do të ketë selektime për asnjë subjekt që konstatohet në shkelje.