Organizoi në mënyrë të përsëritur aktivitet me muzikë në një lokal nate, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Policia i pezullon aktivitetin për një periudhë 1-vjeçare.
Në vijim të kontrolleve për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020 dhe Aktit Normativ Nr. 30 datë 20.07.2020, Neni 1 pika 7/1 për “Mosrespektim të detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedise të mbyllura ose të hapura nga subjektet”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë konstatuar mbrëmjen e djeshme një subjekt night club me muzikë që ushtronte aktivitetin në mënyrë të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para u mor masa për mbylljen e këtij aktiviteti, për një periudhë 1-vjeçare. (Më parë subjektit në fjalë i është vendosur gjoba 1.000.000 lekë).
Policia e Fierit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.