Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Durrës – Qëlloi me armë zjarri pistoletë në ajër, pas një konflikti për motive të dobëta, dhe u largua nga vendngjarja, kapet dhe ndalohet autori i ngjarjes së ndodhur më datë 02.07.2020, në lagjen nr. 13, Plazh. Vihet në pranga 33-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Shërbimet e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin A. V., 33 vjeç, banues në Shijak, Durrës. Ky shtetas dyshohet se më datë 02.07.2020, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve F. T., 18 vjeç dhe Sh. T., 24 vjeç, banues në Durrës dhe më pas ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe është larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar kapjes nga Policia. Materialet  i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.

Mirditë – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Në pranga ka rënë poseduesi i lëndës narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas shpërndante  lëndë narkotike në doza të vogla, kanë organizuar punën dhe në fshatin Perlat kanë bllokuar mjetin me drejtues shtetasin A. N., duke kontroll ndaj tij dhe automjetit. Si rezultat i kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale  doza me lëndë narkotike heroinë dhe një sasi lekësh, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Në përfundim të veprimeve të kryera, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. N.,41 vjeç, banues në Mat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe është bërë sekuestrimi i automjetit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë , për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, 2 për veprën penale “Vjedhja” dhe 1 për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve I. A., 26 vjeç dhe T. A., 51 vjeç, sepse pranë fshatit Vilë Bashtovë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur telat e rrethimit të Landfield-it të grumbullimit të mbetjeve. Gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale telat e vjedhura. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas janë autorë edhe të vjedhjes së një motoçiklete në pronësi të shtetasit L. Sh. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit U. Sh., 63 vjeç, pasi  në rrugën “Ali Demi”, u kap duke drejtuar motorin pa lejen përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Maliq – Vijon kontrolli i territorit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen 8 kg kanabis dhe një armë zjarri pistoletë. Vijon puna për kapjen e poseduesit i cili mundi të largohej kur konstatoi forcat e Policisë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të kontrollit të territorit dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative kanë ushtruar kontroll në një ndërtesë të braktisur, në afërsi të fshatit Lozhan, në të cilën dyshohej se ishte fshehur një person që transportonte lëndë narkotike. Gjatë kontrollit shërbimet e policisë gjetën një çantë me një sasi prej rreth 8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis  dhe 1 armë zjarri tip pistoletë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  Personi që posedonte dhe transportonte lëndën narkotike së bashku me armën e zjarrit porsa ka parë shërbimet e policisë është larguar dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për hetime të mëtejshme.

Lushnjë – Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i krimeve mjedisore. Gërryen shtratin e lumit Seman me 2 fadroma, procedohet penalisht pronari i mjeteve të rënda. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me IKMT dega Lushnjë, gjatë ditës së djeshme, në fshatin Murriz-Kozare, kanë konstatuar 2 mjete të rënda duke nxjerrë në mënyrë të paligjshme materiale inerte në shtratin e lumit Seman. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, proceduan penalisht pronarin e mjeteve, shtetasin Sh. G., 46 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”. Gjithashtu, IKMT mori masë administrative me gjobë 2 milion lekë, për shkeljen e kryer. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit dhe IKMT ftojnë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje apo dëmtim të mjedisit, në numrin falas 112 ose në Komisariatin Dixhital.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 234 shtetas, nga këta: 61 janë të arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 165 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 24 raste, në të gjithë territorin, me 12 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 24 raste, konkretisht: 9 raste të “Kanosja”, 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 20 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 28 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 36 raste, 6 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 27 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Pushtim toke”, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i transportimit të mallrave kontrabandë dhe autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të kundërshtimit të punonjësit të policisë, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Prishja e qetësisë publike”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 16 raste të “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 18 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 12 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 13 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 19 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.,