Mallakastër – Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike.

Shpallet në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të bimëve si edhe procedohen penalisht kryeplaku i fshatit dhe punonjësi i ujsjellës kanalizimeve.

Shërbimet e Policisë Mallakastër, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, si edhe falë informacioneve policore të administruara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në një zonë të pyllëzuar në fshatin Poçem, në afërsi të lagjes “Belagore”, disa bimë narkotike.

Nga kryerja e veprimeve hetimore, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kultivimit të bimëve, shtetasi K. S., 26 vjeç, banues në Poçem, dhe po punohet për kapjen e tij.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, proceduan penalisht kryeplakun e fshatit, shtetasin A. S., 65 vjeç, si edhe punonjësin e ujsjellës kanalizimeve Mallakastër, shtetasin A. B., 60 vjeç, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi në tubin kryesor që furnizon me ujë të pijshëm lagjen “Belagore” autori ka ndërhyrë duke bërë lidhje të paligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.