Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.
Në vijim të këtij operacioni goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Transportonin 8 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i tyre.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
K. P., 26 vjeç dhe B. B., 24 vjeç, banues në Tiranë, si edhe u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 27 vjeç, banues në Rëshen.
Shtetasit e mësipërm, janë konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në aksin rrugor Maliq-Lozhan, me dy automjete tip “Benz”, me të cilët po transportonin kundrejt fitimit në drejtim të Tiranës, 8 emigrantë të paligjshëm. Gjatë ndjekjes, këta shtetas nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, por më pas dy prej tyre u kapën e neutralizuan.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.