Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 16 korrik 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër – Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 15.07.2020, në lagjen “Zinxhira”, ku humbi jetën 35-vjeçari Gj. A. Kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari, autori i ngjarjes. Arrestohet dhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi, si dhe procedohen në gjendje të lirë dy të tjerë. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “Zinxhira”, Gjirokastër, ku pas një konflikti të çastit mes dy shtetasve humbi jetën shtetasi Gj. A., 35 vjeç, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes. Falë punës së mirorganizuar hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi i autorit, kapja dhe shoqërimi i tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Xh., 23 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin Gj. A., duke i shkaktuar vdekjen. Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 18 vjeç, si dhe u proceduan penalisht shtetasit N. Xh., 16 vjeç dhe V. M., 14 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira” , për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi kanë qenë të pranishëm në momentet që ka ndodhur krimi dhe nuk e kanë kallëzuar atë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 39-vjeçari G. B. Vihet në pranga autori kryesor i dyshuar për plagosjen e 39-vjeçarit.  Procedohet penalisht edhe i dëmtuari, shtetasi G. B. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 00:30, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi G. B., 39 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, organizuan punën duke ngritur pika kontrolli, krehje të zonës, si dhe u ngrit grupi hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar të plagosjes me armë të 39-vjeçarit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 22 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes. Gjithashtu u procedua penalisht, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, shtetasi i dëmtuar G. B, pasi dyshohet se ka dëmtuar me mjet prerës në pjesën e krahut autorin e ngjarjes, shtetasin R. B. Ndërkohë vijon puna për kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar apo kanë dijeni për ngjarjen. Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” në ngarkim të shtetasit R. B, si dhe për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” në ngarkim të shtetasit G. B

Shkodër – Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas një pune të mirorganizuar dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë kapja e shtetasve në kërkim L. N., 25 vjeç dhe D. N., 57 vjeçe, të dy banues në fshatin Mazrek, Shkodër. Kapja dhe ndalimi i tyre u bë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Pogradec – Vijon puna për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prerjes së pyjeve. Kapet duke transportuar me kamion, 20 m³ lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës dhe drejtonte mjetin në gjendje të dehur, arrestohet në flagrancë nga policia. Sekuestrohet lëndë drusore.  Në vijim dhe zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e prerjes së paligjshme të pyjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec në bashkëpunim me Policinë Rrugore, në afërsi të fshatit Pleshisht, ndaluan për verifikim e kontroll mjetin tip kamion “Benz” të ngarkuar me lëndë drusore, me drejtues shtetasin E. Sh., 32 vjeç, banues në fshatin Vërdovë. Ky shtetas nuk dispononte dokumentacionin përkatës për sasinë e lëndës drusore, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu pas kryerjes së test alkoolit, rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur.  32-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Vijon operacioni “Domosdova”. Shkon në 6 numri i të arrestuarve. Kapet dhe vihet në pranga dhe 1 shtetas tjetër i implikuar.  Në vijim të operacionit policor të koduar “Domosdova”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, finalizuar një muaj më parë nga DVP Elbasan, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 5 shtetas dhe u sekuestruan 28.5 kg kanabis, operacioni ka vijuar me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Si rezultat i hetimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me DVP Berat, pas një pune të mirorganizuar, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit R. M., 30 vjeç, banues në fshatin Salce, Kuçovë, bashkautor në këtë veprimtari kriminale.  Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Krujë – Kontrolle të shtuara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Organizuan aktivitete me muzikë live në lokale nate, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e aktiviteteve, procedohen penalisht dhe ndëshkohen me masë administrative 2 administratorët e lokaleve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, për subjektet apo individët që zhvillojnë aktivitete në ambiente të mbyllura, duke mos zbatuar urdhrin e organit kompetent për mbylljen e tyre, si dhe në zbatim të urdhrit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 29.05.2020, “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, kanë evidentuar në aksin rrugor Fushë Krujë-Laç, 2 lokale me muzikë live që ushtronin aktivitetin në mënyrë të kundërligjshme. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit P. K., 41 vjeç dhe K. L., 42 vjeç, banues në Krujë dhe Milot, administratorë të lokaleve me muzikë live, pasi nuk i janë bindur urdhrit të përsëritur nga punonjësit e Policisë, për mbylljen e aktivitetit. Gjithashtu, të dy subjektet janë ndëshkuar me masë administrative 100.000 lekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”. Strukturat vendore të Policisë Krujë apelojnë për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të zbatojnë aktet ligjore dhe nënligjore për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Librazhd – Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, shtetasit: Sh. H., kryeplak i fshatit Mirakë, B. Zh., administratori i Njësisë Administrative Polis dhe R. Ç., inxhinier pyjor në Bashkinë Librazhd, të tre banues në fshatin Mirakë, Librazhd, pasi në masivin pyjor të fshatit Mirakë, si rezultat i kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike, të cilat u asgjësuan. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në ketë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.

DVP Durrës – Vijon kontrolli i territorit në të gjithë qarkun e Durrësit, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Arrestohen 2 shtetas, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Procedohen penalisht 7 kryepleq në fshatrat e Durrësit dhe Krujës dhe kryetari i Njësisë Administrative Cudhi, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrollit masiv të territorit, në fshatin Vardardhë, Njësia Administrative Sukth, në një ambient të hapur, kanë konstatuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 43 vjeç dhe H. H., 34 vjeç, banues në Vardardhë, Sukth. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi Q. D., me detyrë kryeplak i fshatit Vardardhë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Po gjatë kontrollit të territorit, janë evidentuar disa raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u proceduan penalisht shtetasit O. K., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Cudhi, S. V., A. P., G. F., M. H., A. B. dhe S. S., me detyrë kryepleq të fshatrave Cudhi Zall, Bruz Zall, Shkretë, Cudhi Kampt, Bruz Mal dhe Mafsheq, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë kryer detyrën sipas ligjit, për të informuar Policinë për kultivimin e bimëve narkotike në zonat që ato mbulojnë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë dhe 7 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë kapur dhe ndaluar shtetasin H. B., 54 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Kanosja”. Nga seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit kosovar L. GJ., 31 vjeç, sepse dyshohet që me anë të mashtrimit i ka përvetësuar shumën prej 6500 eurosh, shtetasit S. E. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F. B., 22 vjeçe, pasi në Marqinet, ka vjedhur shumën prej 6400 dollarësh amerikan, në banesën e vjehrrit të saj. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. GJ., 32 vjeç, pasi në aksin rrugor Rinas – Qafë Kashar, në bashkëpunim me persona të tjerë, ende të paidentifikuar, dyshohet se ka vjedhur hekurat mbrojtës dhe barrierat e rrugës. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: M. O., 34 vjeç, pasi në rrugën “Shefqet Musaraj”, ka aksidentuar një fëmijë të mitur 7 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; D. T. dhe M. D., pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse dhe A. Rr., 44 vjeç, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.15 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijojnë kontrollet e shtuara nga Policia e Tiranës, në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Procedohet penalisht pronari i një lokali, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, për subjektet apo individët që zhvillojnë aktivitete në ambiente të mbyllura, duke mos zbatuar urdhrin e organit kompetent për mbylljen e tyre, kanë konstatuar një lokal nate të hapur dhe me klientë. Në vijim të veprimeve u bë shoqërimi dhe u procedua penalisht pronari i lokalit, shtetasi A. F., 41 vjeç. Gjithashtu, për këtë subjekt u vendos masë administrative 1.000.000 lekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. Policia e Tiranës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 51 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 3 autor të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë dhe 1 në Lezhë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Berat; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, në Kukës, ku po punohet për kapjen e autorit.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 2 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 2 në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Berat, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 4 në Lezhë dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, ku autori është ndaluar dhe 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, në Korcë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Largimi nga vendi i aksidentit”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Braktisja e fëmijëve të mitur”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kanosja për shkak të detyrës”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vepra të turpshme”,, në Tiranë, ku autori ëshët arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, 2 Vlorë dhe 1 në Dibër, me 3 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Durrës dhe 2 në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 3 në Tiranë dhe 1 në Korçë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.