Kukës – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”

 

Vijojnë kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, në zbatim të planit të përbashkët të masave mes DVP Kukës e Policisë Kuiftare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për dhënie ndihmë shtetasve nga vendet e treta, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit.

Në kuadër të kontrolleve evidentohet dhe arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” kundrejt fitimit dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin K. V., 21 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në fshatin Morinë, me automjetin tip “Volkswagen”, me të cilin po transportonte 4 shtetas sirianë.

Shtetasi K. V., kundrejt fitimit do t’i ndihmonte shtetasit sirianë që të kalonin kufirin në drejtim të Kosovës, në mënyrë të paligjshme.

Gjatë verifikimit të dokumentacionit rezultoi se ai drejtonte mjetin pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.