Tiranë – Vijojnë kontrollet e pandërprera në lokale e subjekte tregtare, për respektimin e protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19

Kontrollet janë përqëndruar edhe në lokalet që shkaktojnë ndotje akustike, duke shqetësuar banorët me muzikë të lartë.

Procedohet penalisht banakieri i një lokali, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të kontrollove për zbatimin e protokollit të sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe në bazë të ankesave të bëra nga qytetarët për një subjekt që vijonte aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike, kanë organizuar punën dhe gjatë inspektimit në rrugën “Muhamed Gjollesha”, kanë konstatuar një lokal që vendoste muzikë të lartë, tej normave të lejuara.

Në vijim të veprimeve u bë shoqërimi dhe u procedua penalisht, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, banakieri i lokalit, shtetasi B. H., 21 vjeç.

Gjithashtu, sherbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet që përdoreshin për të bërë muzikë në ambientet e këtij lokali.

Njëkohësisht puna ka vijuar edhe në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së paligjshmërisë dhe si rezultat janë vënë në pranga 6 shtetas për vepra të ndryshme penale.