Në takim ishte i pranishëm Shkëlqesia e Tij ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri z. Fabrizio Bucci.
Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit policor, si dhe ecuria e fushatës së monitorimit ajror të territorit, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Drejtor Veliu ka vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes Policsië së Shtetit dhe Policisë italiane, duke theksuar se ky bashkëpunim po jep përditë rezultatet e dëshiruara në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit dhe kultivimit të bimëve narkotike.
Gjithashtu, Veliu ka vlerësuar punën e njësive të Guardia Di Finanza-s dhe Interforzës në Shqipëri, kryesisht asaj të monitorimit ajror.
Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu ka siguruar ambasadorin italian në Shqipëri Z. Bucci se strukturat e Policisë së Shtetit janë tërësisht të angazhuara në drejtim të goditjes së tendencave për kultivim.
Krahas monitorimit ajor nga GDF-ja, Policia e Shtetit ushtron kontrolle masive të territorit nga toka dhe nga ajri duke përdorur një numër të konsiderueshëm dronësh dhe helikopterin e Policisë.
Ambasadori i Italisë Shkëlqesia e Tij z. Bucci ka vlerësuar këtë bashkëpunim mjaft të frytshëm mes dy policive dhe rezultatet e arritura në drejtim të goditjes së elementëve apo grupeve kriminale.
Drejtuesi i Repartit të Dytë të Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Gjeneral Bigade Cosimo Di Gesu ka theksuar se bashkëpunimi mes GDF-së dhe Policisë së Shtetit është shumë herë më i mire së bashkëpunimi me vendet që janë anëtare të BE-së.
Drejtuesi i Repartit të Tretë të Operacioneve Gjeneral Brigade i GDF-së Giuseppe Arbore ka vlerësuar punën dhe rezultatet e arritura nga skuadrat e përbashkëta hetimore dhe premtoi se do investojë më shumë për forcimin dhe mbështetjen e këtyre skuadrave.
Më pas delegacioni vizitoi laboratorin e përpunimit të të dhënave të siguruara nga monitorimi ajror mbi territorin e Republikës së Shqipërisë dhe u njoh me punën e bërë nga ky ekip.