Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Bulqizë – Ushtruan dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshorteve të tyre, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Në pranga dhe një 48-vjeçar, pasi goditi dhe kërcënoi dy shtetas të tjerë, për motive pronësie. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë u arrestuan në flagrancë shtetasit XH. A., 35 vjeç, banues në Shupenzë dhe M. GJ., 51 vjeç, banues në Bulqizë, pasi kanë ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshorteve të tyre. Gjithashtu u arrestua në flagrancë nga Policia, shtetasi D. R., 48 vjeç, banues në Shupenzë, pasi për motive pronësie, ka goditur e kanosur, duke i penguar për të mos kaluar rrugën, shtetasit A. D. dhe SH. D. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur do t’i referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.
Morinë, Kukës – Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar arrestohet nga Policia e Shtetit. 37-vjeçari në kërkim, i dënuar në fushën e narkotikëve. Arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimi në shtetin kroat. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, falë bashkëpunimit të ZQK Interpol Tirana me shërbimet e Policisë Kufitare u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: L. R., 37 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni. Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar, bazuar në vendimin e Gjykatës së Zagrebit, e cila në vitin 2009 e ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burg, për kryerjen e veprës penale “Abuzimi me drogat narkotike”, sipas Kodit Penal të Kroacisë. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij drejt Kroacisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.
Fier – Procedohet nga Policia administratori i një shoqërie ndërtimi, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Gjithashtu gjobitet nga IKMT-ja, me masën administrative 1.000.000 lekë. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier proceduan penalisht shtetasin K. K., 48 vjeç, banues në Mallakastër. Procedimi ndaj tij filloi pasi ky shtetas, me detyrë administrator në një shoqëri ndërtimi, ka shfrytëzuar në mënyrë jo të ligjshme, me mjetet e shoqërisë së tij, shtratin e lumit Vjosë, duke nxjerrë sasi të mëdha inertesh në shtratin e këtij lumi. Gjithashtu, IKMT e ka ndëshkuar këtë subjekt me masë administrative 1.000.000 lekë, për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Policia e Shtetit dhe IKMT ftojnë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje apo dëmtim të mjedisit, në numrin falas 112 ose në Komisariatin Dixhital.
Fier – Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen lëndë narkotike, vihen në pranga 2 shtetas. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe pas informacioneve të marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Cakran, në vendin e quajtur “Xhamia e vjetër”, gjetën dhe sekuestruan 3.5 kg cannabis sativa. Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi i 2 shtetasve, posedues të lëndës narkotike I. H., 46 vjeç dhe N. Sh., 39 vjeç, banues në Cakran. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.
Tiranë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “SHOCK”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore e Policisë Tiranë. Shpërndanin në doza lëndë narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa, vihen në pranga 2 vëllezër. Sekuestrohen lëndë narkotike kokainë, cannabis sativa dhe një peshore elektronike. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për shitjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa, finalizoi me sukses operacionin e koduar “SHOCK”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve D. K., 33 vjeç dhe D. K. 37 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë. Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se shtetasit D. K. dhe D. K. merreshin me shitjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa, në rrugën “Ibrahim Brahja”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke ushtruar kontroll në lokalin në pronësi të këtyre shtetasve, në banesat e tyre dhe në automjetin që përdorej nga shtetasi D. K., 33 vjeç. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa, një sasi kokaine dhe një peshore elektronike. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.
Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 7 persona, 1 prej tyre e shpallur në kërkim. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u ndalua me iniciativë shtetasi R. S., 28 vjeç, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit Sh. T., 23 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht kushërirën e tij. Ndërkohë, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. A., 24 vjeç dhe A. M., 52 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar motoçikletat pa lejet përkatëse; B. D., 43 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke drejtuar motorin në gjendje të dehur, në masën 1.14 mg/l; Sh. K., 27 vjeç, pasi në Mullet, ka aksidentuar një fëmijë të mitur 3 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë është kapur dhe ndaluar shtetasja D. S., 24 vjeçe, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 104 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 76 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 2 në Fier dhe 1 në Dibër; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të ndaluar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 3 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Dibër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Shkodër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 5 në Tiranë, me 2 autorë të ndaluar dhe 7 autorë që procedohen në gjendje të lirë; 1 në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 5 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 2 në Elbasan, 1 në Lezhë dhe 3 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 4 në Durrës, 1 në Berat dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vepra të turpshme”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.
Janë evidentuar dhe proceduar 13 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 7 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Berat, 2 në Shkodër dhe 1 në Vlorë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.