Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 8 korrik 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Rinas – Parandalohet dhe goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi, si rezultat i kontrolleve të imtësishme të zhvilluara nga shërbimet e Policisë Kufitare. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 15000 paund. Procedohet penalisht poseduesi i tyre. Si rezultat i kontrolleve të shtuara nga ana e Policisë Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë, në hyrje të RSH-së, në aeroportin e Rinasit, pas analizës së riskut, kanë ndaluar shtetasin F. K., 29 vjeç, banues në Mat. Gjatë kontrollit të ushtruar, shtetasit të lartpërmendur, në çantën e shpinës iu gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 15000 paund. Në përfundim të veprimeve shtetasi F. K. u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime te mëtejshme.

Berat – Vijon operacioni i koduar “Kredia”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit me të holla. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, nën drejtimin e Prokurorisë.  Shkon në 8 numri i të arrestuarve dhe të proceduarve penalisht. Gjatë hetimeve evidentohen dhe arrestohen edhe 2 persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kredia”, i finalizuar në janar 2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën ekonomiko-financiare, në vijim të hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, është bërë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për ndalimin e shtetasve E. I., 26 vjeç dhe F. D., 26 vjeç, të dy banues në Kuçovë. Nga hetimet disamujore të kryera janë siguruar prova bindëse për veprimtarinë kriminale të këtyre 2 shtetasve, në bashkëpunim me shtetasin e arrestuar gjatë operacionit dhe bashkëpunëtorët e tjerë që janë shpallur në kërkim. Këta shtetas përvetësonin shuma të hollash me anë të mashtrimit, duke nënshkruar edhe kontrata huaje në emër të një shoqërisë me objekt veprimtarie dhënie kredie, me qëllim përvetësimin e shumave të lekëve, gjë për të cilën kjo shoqëri nuk kishte dijeni. Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mashtrim më shumë se një herë” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 8 persona, 3 prej tyre të shpallur në kërkim. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.T., 28 vjeç, sepse në rrugën “Qemal Stafa”, ka ushtruar dhunë fizike duke e goditur me sende të forta xhaxhain e tij shtetasin SH.T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vore, u bë arrestimi i shtetasit E.B., 57 vjeç, pasi , në banesën e tij në fshatin Bërxullë, në prani të fëmijëve të tyre të mitur, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes. Nderkohe, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: B.GJ., 37 vjeç, B.P., 30 vjeç dhe F.XH., 20 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar motorçikletat pa lejen përkatese. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë janë kapur dhe ndaluar shtetasit: L. SH., 30 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” ; F. S., 37 vjeç, I shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje” dhe L. B., 22 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë , ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg në mungesë” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga seksioni për Hetimin e Narkotikeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin G.F., 28 vjeç, sepse tek mbikalimi i autostradës, që ikën për qendrën tregtare “TEG”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 0.6 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe në tapicerinë e mjetit, i’u gjet mbetje lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6, bënë referimin e materialeve në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për shoqërimin e shtetasit E.P., 49 vjeç, mjek në një spital privat, sepse dyshohet se ka kryer mjekim të pakujdesshëm në spital, pasi mbas ndërhyrjes kirurgjikale ka ndëruar jetë në spital, shtetasja D.S, në bazë të kallzimit të bërë nga i biri shtetasit O.S. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 108 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 80 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 2 në Gjirokastër; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 2 në Elbasan, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 7 raste të “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 4 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Ëstë evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vepra të turpshme”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Korçë dhe 2 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 5 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.