Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 korrik 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Bulqizë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Fundi i arratisë”. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, forcat speciale RENEA, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë.  Kapet dhe vihet në pranga një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gjatë operacionit për kapjen e tij, forcat RENEA i gjetën dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga strukturat e DVP Dibër, në bazë të një informacioni të marrë në rrugë operative, për vendndodhjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për disa vepra penale, si dhe duke vlerësuar rrezikshmërinë që ky person paraqiste, janë koordinuar veprimet me Komisariatin e Policisë Bulqizë dhe është kërkuar mbështetja e forcave speciale RENEA. Mbi bazën e këtyre informacioneve u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Fundi i arratisë”, në kuadër të të cilit, në fshatin Vajkal të Bulqizës, pas rrethimit të banesës dhe ndërhyrjes profesionale u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit të kërkuar Fadil Tërnova, 32 vjeç, i cili në momentin e ndërhyrjes u gjend i fshehur në ambientet e bodrumit të hapur enkas në një prej dhomave, që ishte i mbuluar me pllakat e dyshemesë. Gjatë operacionit, forcat speciale RENEA gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë tip “Glock” që e mbante pa leje dhe fishekë luftarak. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim që prej vitit 2018, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosje për të mos kallëzuar krimin” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Për këto vepra penale, Gjykata e Shkalles së Parë Dibër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”.  Shtetasi Fadil Tërnova është person me rrezikshmëri të theksuar kriminale. I dënuar për vrasjen e shtetasit Sh. Sh., në vitin 2013, në qytetin e Bulqizës, i arrestuar e dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, si dhe i proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale kundër personit si “Përndjekja”, “Kanosja”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik’’ dhe “Shkatërrim i pronës’’. Gjithashtu ky shtetas dyshohet se është organizator dhe autor kryesor për disa raste të ndodhura më parë për “Shtrëngim për dhënie pasurie”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Finalizohet operacioni policor “Mision i pamundur”. Parandalohet një ngjare e mundshme kriminale. Nga Tirana në drejtim të qarkut Shkodër, me armë me vete dhe motomjet pa targa, vihet në pranga 48-vjeçari. Policia i sekuestron një armë zjarri automatik “Scorpion” me silenciator dhe 20 fishekë, me të cilën dyshohet se do kryente një vrasje. Dyshohet se ky shtetas është përdorur nga grupe kriminale për vrasje me pagesë. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me një motomjet pa targa  i cili kishte armë me vete dhe dyshohej se mund të kryente një vrasje të porositur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mision i pamundur”. Falë ndërhyrjes në kohë, në fshatin Guri i Zi, forcat e Policisë të DVP Shkodër, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit G. B, 48 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për mashtrim dhe dhunë në familje. Në momentin e kapjes, këtij shtetasi, në një çantë krahu që mbante me vete i është gjetur një armë zjarri automatik “Scorpion” me silenciator dhe 20 fishekë luftarak. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e zjarrit dhe motomjeti pa targa. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për zbardhjen e arsyes së qarkullimit me armë zjarri me silenciator dhe motomjet pa traga. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 16 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 16 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier,  7 në Vlorë, 1 në Dibër dhe 2 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 7 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, 2 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, 1 ne Dibër dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shpërdorimi i detyrës”, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 11 raste aksidentesh, me 15 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.