Masa për garantimin e rendit dhe sigurisë përgjatë sezonit turistik.
1,600 punonjës policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë në zonat turistike dhe ato bregdetare.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike dhe ato bregdetare përgjatë sezonit turistik veror 2020, Drejtoritë Vendore të Policisë, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, kanë vënë në dispozicion forcat dhe mjetet policore që do angazhohen me shërbim në zonat turistike/plazhe.
Janë rreth 1,600 punonjës policie, nga Sektori i Rendit Publik, Sektori për Krimet, Policia Rrugore, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Kufirit e Migracionit.
Në dispozicion të këtyre forcave do të jenë 180 mjete (autovetura, furgonë, motoçikleta, biçikleta dhe mjete lundruese).
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëpërmjet një telegrami, u ka kërkuar të gjithë strukturave policore angazhim maksimal për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, rritjen e parametrave të sigurisë në zonat turistike, në plazhe, parandalimin e aksidenteve rrugore, ndërhyrjen në kohë të shërbimeve të Policisë për të parandaluar ngjarjen të mundshme kriminale apo për të normalizuar trafikun në raste fluksi.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë duhet të mbajnë maskat, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe të qytetarëve, pasi duke marrë parasysh shifrat e të prekurve nga virusi, duhet vlerësuar edhe kjo masë shumë e rëndësishme.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të krijuar një ambient sa më të sigurt për turistët, vizitorët apo pushuesit dhe fton qytetarët që për çdo shqetësim apo paligjshmëri të konstatuar të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 ose ta adresojnë në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë e të paanshëm.