Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i akordon certifikatë “Për shërbime të dalluara” Avni Jashallarit, me rastin e daljes në pension.
Gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me pjesëmarrjen e një numri të kufizuar të drejtuesve të Policisë, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Drejtor Veliu i ka dorëzuar Avni Jashallarit certifikatën “Për shërbime të dalluara”, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Në fjalën e tij Veliu ka vlerësuar kontributin e vyer të Jashallarit gjatë 43 viteve që ai ka qenë pjesë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit, duke mbajtur detyra të ndryshme.
“Dua ta nis fjalën time me një thënie të Michelangelos, i cili ka thënë se rrojmë me punë dhe jo me vite. Çdo fillim ka një fund, kur nisesh drejt një rruge sigurisht që ajo rrugë ka një pikë fundore e lum kush ecën drejt në rrugën e punës dhe arrin me nder pikën fundore, duke u kthyer në motiv e frymëzim për brezat në Polici. I tillë është miku ynë Avni Jashallari, i cili ka shërbyer me ndershmëri e përkushtim plot 43 vite në strukturat e Policisë së Shtetit, duke kryer me nder çdo detyrë që i është ngarkuar e besuar. Sot Avniu mbyll karrierën e tij në Policinë e Shtetit zyrtarisht, por jam i bindur se për aq kohë sa do frymojë e jetojë Avniu do jetë përkrah Policisë së Shtetit. Për kontributin e dhënë gjatë 43 viteve në shërbim të Policisë së Shtetit, vendosa t’i akordoj certifikatën “Për shërbime të dalluara”. Ta gëzosh certifikatën dhe pensionin. Ju falënderoj për gjithë kontributin tuaj dhe Ju uroj edhe në emër të organizatës së Policisë, vite të bardha më tej”, – u shpreh Veliu.
Avni Jashallari ka falënderuar Drejtor Veliun për vlerësimin e kontributit të tij, duke i akorduar certifikatë, kolegët me të cilët ka punuar, për mbështetjen e bashkëpunimin dhe shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij në vazhdim, qoftë edhe duke dhënë këshilla, për t’i ardhur në ndihmë Policisë për përmbushjen e detyrave të saj.