Tiranë – Vijojnë veprimet hetimore intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B.

Vijojnë veprimet hetimore intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B.

Shkon në tre numri i të arrestuarve të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë vrasje.

Gjatë orëve të para të ditës së sotme është vënë në pranga një 26-vjeçare, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e shtetasit H. B.

Më parë, si rezultat i reagimit në kohë dhe falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u identifikua, u kap dhe u vu në pranga dhe bashkëpunëtori tjetër, shtetasi S. M.

Gjithashtu, falë punës profesionale të strukturave të DVP Tiranë dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me Policinë e Malit të Zi, mbi bazën e informacioneve të dhëna nga specialistët e Sektorit kundër Krimeve ndaj Personit në DVP Tiranë, u bë lokalizmi i vendndodhjes së autorit kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasit V. M., i cili u kap nga Policia e Malit të Zi.

Nga strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës së pandërprerë hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B., është bërë ndalimi i shtetases:

A. L., 26 vjeçe, banuese në Tiranë.

Kjo shtetase dyshohet se është bashkëpunëtore në vrasjen e shtetasit H. B., së bashku me shtetasin V. M. (vëllai i shtetasit P. M., i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga shtetasi H. B.) dhe shtetasin S. M. (nipi i shtetasit P. M).

Gjithashtu, në vijim të kontrolleve të shumta për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është vënë në pranga për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, shtetasi A. A. , të cilit i është gjendur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë me një krehër 7 fishekë.

Strukturat e DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë ngjarje.

Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale ”Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetases A. L.