Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 25 qershor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Ndalohet një 37-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin I. P., 37 vjeç, banues në Tapizë, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë, më datë 28.08.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se ka kultivuar lëndë narkotike cannabis sativa në fshatin Bret, Njësia Administrative Cudhi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Gramsh – Goditet një rast i shpërndarjes të drogave në doza të vogla. Në pranga 23-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen lëndë narkotike, një sasi fishkësh, një armë gjahu, shkop metalik me hapje dhe automjeti me të cilin lëvizte autori. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së drogave në doza të vogla, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet policore të Komisariatit Gramsh, arrestuan në flagrancë shtetasin M. M., 23 vjeç, banues në fshatin Cerice, Skrapar, pasi në aksin rrugor Gramsh-Kodovjat, është ndaluar nga shërbimet e Policisë dhe gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin po lëvizte ky shtetas, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 37 doza me kanabis, kokainë, një shishe farmaceutike me lëng vajor i dyshuar si kanabis, 14 fishekë, armë gjahu, një shkop metalik me hapje (si ato që përdorin forcat e policisë), si dhe automjetin me të cilin ai lëvizte. Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Bulqizë – Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. K ., 40 vjeç, banues në Bulqizë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, duke mos kryer siç duhet detyrën e tij si brigadier e duke mos marrë masa në katet mes galerive ku kryheshin punimet në një subjekt minerar në zonën e Martaneshit, është rrëzuar dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi B. Xh., 56 vjeç (vagonist), banues në Bulqizë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë.

Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “LIMIT”, si rezultat i të cilit u shkatërruan 4 grupe kriminale në fushën e narkotikëve. Në kuadër të operacionit u arrestuan 57 persona dhe u shpallën në kërkim 8 të tjerë. Gjatë operacionit janë sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me DVP Korçë, është kapur një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Vihet në pranga 40-vjeçari K. H., pjesë e njërit prej 4 grupeve të strukturuara kriminale, i cili për qëllime përfitimi të grupit në të cilin bënte pjesë, transportonte emigrantë të paligjshëm, duke iu premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, si dhe merrej edhe me trafikimin e lëndëve narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, si edhe me Forcat e Posaçme Operacionale pranë DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë të shpallur në kërkim, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe falë koordinimit të veprimeve, bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim K. H., 40 vjeç, banues në fshatin Kurilë, Devoll. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë,  i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Tiranë – Kapet dhe ndalohet një 33-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohet në flagrancë edhe një shtetas tjetër, për veprën penale ”Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 kanë bërë ndalimin e shtetasit A. B., 33 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Ndërkohë, nga Seksioni për Krimet ndaj Pronës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas një pune të mirorganizuar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar me parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka kanosur, me anë të shtrëngimit për dhënien e pasurisë, duke i marrë shumën 57.500 lekë, shtetasit G. B., për mospublikimin e disa fotove e videove në rrjetet sociale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Policia e Tiranës shpërndau dy tubime të paligjshme të zhvilluara ditën e djeshme në rrugën “Abdi Toptani dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe procedoi 17 persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Gjatë zhvillimit të tubimeve, në të dy rastet, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tyre.  Gjithashtu, gjatë thirrjeve Policia u ka kërkuar protestuesve që të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, me qëllim parandalimin e infektimit me COVID-19. Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 4 persona, si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës dhe për 13 të tjerë, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente. Materialet për këto ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 17 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente.

Mallakastër – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni antikanabis i koduar “Rromës”. Sekuestrohen fidanë narkotikë, fara kanabisi, një armë gjahu dhe shtatë aparate celularë. Vihen në prangat e Policisë 3 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në vijim të kontrollit të territorit dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, pas një hetimi njëmujor, finalizuan me sukses operacionin antikanabis të koduar “Rromës”. Si rezultat i operacionit, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër u arrestuan në flagrancë shtetasit: T. A., 32 vjeç, banues në Gjonçë, Fier dhe A. A., 31 vjeç, banues në Cakran, Fier. Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore operacionale u bë edhe ndalimi i shtetasit I. M., 27 vjeç, banues në Cakran, Fier. Ndalimi dhe arrestimi i tyre u bë pasi nga tërësia e veprimeve hetimore u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në drejtim të tentativës për të kultivuar kanabis. Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri – tjetrin, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Rromës, Mallakastër, kishin kultivuar fidanë narkotikë kanabis, të cilët u asgjësuan gjatë operacionit.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi farash kanabisi, një armë gjahu dhe shtatë aparate celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të kryera në bashkëpunim.

OFL, 25 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. Sh., banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; B. T., banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe B. P., banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 104 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 86po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 19 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Korçë; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, 1 në Gjirokastër dhe 2 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Berat, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 2 në Gjirokastër, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Gjirokastër, 2 në Korçë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mashtrimi”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, në Dibër dhe autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi në kredi”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në Tiranë , ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin është evidentuar 1 rast aksidenti, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.