Kapet dhe ndalohet një 33-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar.
Arrestohet në flagrancë edhe një shtetas tjetër, për veprën penale ”Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 kanë bërë ndalimin e shtetasit A. B., 33 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.
Ndërkohë, nga Seksioni për Krimet ndaj Pronës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas një pune të mirorganizuar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar me parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka kanosur, me anë të shtrëngimit për dhënien e pasurisë, duke i marrë shumën 57.500 lekë, shtetasit G. B., për mospublikimin e disa fotove e videove në rrjetet sociale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.