Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, drejtues të lartë të PSH, kolegë dhe familjarë të Ibrahim Bashës.
Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu
I nderuar zoti Ministër i Brendshëm,
Të nderuar familjarë të Ibrahim Bashës,
Të nderuar kolegë,
Pesë vjet më parë, më 24 qershor të vitit 2015, gjatë kryerjes së operacionit për kapjen dhe arrestimin e elementeve kriminal të armatosur, Forcat Speciale Renea u gjendën papritur në një sulm të egër me të gjitha llojet e armëve, nga një grup të rinjsh nga fshati Lazarat dhe për pasojë humbi jetën në krye të detyrës, efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha.
Të jesh punonjës police nuk është privilegj, nuk është as profesion, por është mision për t’i shërbyer qytetarëve me ndershmëri, përkushtim e sakrificë deri në sublim. I tillë ishte miku, shoku e kolegu ynë Ibrahim Basha, emri i të cilit është gdhendur në piedestalin e historisë dhe prehet i qetë në altarin e kombit.
Misioni për të luftuar krimin, për të krijuar rend e siguri për qytetarët, në shumë raste është i vështirë dhe shkalla e rrezikshmërisë është shumë e lartë për ta përmbushur me sukses, ku ka patur dhe humbje jete.
Organizata e Policisë është e vetmja që e ka paguar shumë shtrenjtë përmbushjen e këtij misioni, pasi nga radhët e saj kanë dhënë jetën në krye e për shkak të detyrës qindra punonjës policie, sot Dëshmorë të Atdheut, të cilët janë krenaria e kombit.
Ibrahim Basha është një shembull frymëzues, jo vetëm për të gjithë ne që vazhdojmë të kryejmë detyrën e punonjësit të Policisë së Shtetit, por edhe për brezat e ardhshëm në Polici dhe për këdo tjetër që kërkon frymëzim për të përmbushur me dinjitet detyrën që kryen, duke bërë krenarë familjen dhe shoqërinë ku bën pjesë.
Prindër të dashur të Ibrahimit, motra e vëllezër, dy prej jush sot jeni pjesë e Policisë së Shtetit për të vazhduar misionin dhe ëndrrën e Ibrahimit. Përtej dhimbjes dhe mallit nga mungesa e tij, duhet të jeni krenarë për të, pasi ai dhe të gjithë dëshmorët e Policisë së Shtetit ishin në anën e qytetarëve që kërkojnë siguri e qetësi, ishin në anën e ligjit, në anën e vlerave më të mira të njerëzimit.
Ju duhet të jeni krenar për të, pasi i mësuat atij vlerën e nderit, të respektit, të përkushtimit e sakrificës në përmbushjen e detyrës dhe ai me veprën e tij ju ka bërë krenarë sot e brez pas brezi, përjetësisht.
Motra dhe vëllai i Ibrahimit dhe të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit kanë një detyrim më shumë, një arsye më shumë për ta mbajtur të panjollosur uniformën e Policisë, një motiv të fortë më shumë për ta luftuar me kurajë e vendosmëri krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi.
Çdo punonjës policie duhet të udhëhiqet nga këto parime e vlera njerëzore dhe të frymëzohet nga këto modele sakrifice e sublimi, duke qëndruar përherë besnik ndaj ligjit dhe në krah e në shërbim të qytetarëve që duan dhe respektojnë ligjin.
Cilido punonjës i Policisë duhet të kuptojë se nuk është padron i qytetarit, por është shërbëtor i ligjit dhe në shërbim të qytetarit, duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin dhe duke shpalosur e performuar vlerat më të mira të qytetarisë.
Vetëm kështu nderojmë e respektojmë veprën e dëshmorëve tanë, nderojmë dhe mbajmë lart dinjitetin e Policisë, fitojmë respektin, besimin dhe mbështetjen e qytetarëve që është shumë e domsodoshme dhe e vlefshme në përmbushjen me sukses të misionit tonë.
Duke nderuar Ibrahim Bashën dhe të gjithë dëshmorët e Policisë e të Atdheut, ne nderojmë simbolet e sakrificës, vlerat e paçmueshme të paqes e të sigurisë, të cilat janë një arsye më shumë për ne që të bëjmë më mirë detyrën tonë, në funksion të krijimit të një ambienti sa më të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe gjithë shoqërisë.
Ai që jetën e mbron me jetë do të kujtohet gjithmonë nga brezi në brez dhe emri i tij do të gdhendet përjetësisht në historinë e kombit.
Të nderuar pjesëmarrës, në nderim të Dëshmorit Ibrahim Basha dhe gjithë të rënëve të Policisë së Shtetit, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Tij dhe i të gjithë Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
Ju faleminderit!