Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Bulqizë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Vajkal”. Operacioni nga Policia e Bulqizës, për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga 27-vjeçarin me precedent penal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje. Gjithashtu, 27-vjeçari dyshohet dhe si bashkautor në një gjobëvënie, ngjarje e ndodhur më datë 19 qershor 2020, në Bulqizë. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, Policia e Bulqizës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Vajkal”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e shtetasit A. T., 27 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Dibër, në qershor 2019, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim, mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, më datë 16.06.2019, në vendin e quajtur “Unaza e Re” Bulqizë, në bashkëpunim me vëllanë e tij M. T., i cili është arrestuar pas ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta, në drejtim të shtetasit B. D. i cili mbeti i plagosur në dorë, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se është bashkautor i ngjarjes së ndodhur më datë 19.06.2020, në qytetin e Bulqizës, ku në bashkëpunim me shtetasin F. Sh., kanë kërcënuar për gjobëvënie një biznesmen, si dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në momentin që kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia. Operacioni vijon për kapjen e shtetasit F. Sh., për gjobëvënie dhe armëmbajtje pa leje. Materialet hetimore shtesë do t’i kalojnë Prokurorisë Dibër, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” , e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Lushnjë – Finalizohet një tjetër operacion në fushën e narkotikëve, i koduar “Taksisti”. Sekuestrohen 6 kg lëndë narkotike canabis sativa. Bie në prangat e policisë poseduesi i lëndës narkotike. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për hetimin e narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, kanë finalizuar me sukses një tjetër operacion antidrogë të koduar “Taksisti”. Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacione të marra në rrugë operative, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, gjatë kontrollit të automjetit të tij tip “Benz”, u gjetën dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 6 kg lëndë narkotike canabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
OFL, 24 qershor – Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. L., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; R. D., banues në Durrës, nën hetim nga autoritetet italiane të drejtësisë, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”; A. V., banues në Durrës, i dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale” dhe A. T., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 2 në Berat; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Shkodër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, me 1 autor në po procedohet në gjendje të lirë dhe 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Mashtrimi”, 3 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Vlorë, 2 në Berat dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Punësim i paligjshëm”, në Vlorë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Fier.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Korçë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.