Kavajë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Shëtitësi”

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shëtitësi”.

Kapet dhe arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, një 33-vjeçar që kryente vjedhje banesash.

33-vjeçari me precedent penal të mëparshëm.

Zbardhen dhe dokumentohen edhe 5 raste të tjera të vjedhjeve në banesa, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, si dhe falë shërbimeve grackë të ngritura për këtë qëllim, arrestuan në flagrancë gjatë operacionit policor të koduar “Shëtitësi”, shtetasin A. Ç., 33 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Ky shtetas u kap në flagrancë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë operacionit të zhvilluar nga shërbimet e Policisë, duke tentuar të vjedhë në lokalin në pronësi të shtetasit T. V.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas është autor i vjedhjeve në disa banesa, konkretisht:

– Më datë 11.05.2020 ka vjedhur disa sende elektroshtëpiake në banesën e shtetasit Sh. M.

– Më datë 15.05.2020 ka vjedhur me thyerje banesën e shtetasit H. Gj., ku ka marrë një televizor.

-Më datë 30.05.2020 ka vjedhur me thyerje banesën e shtetasit D. H., ku ka marrë një televizor.

-Më datë 10.04.2020 ka vjedhur një televizor në banesën e shtetasit Sh. D.

-Më datë 12.04.2020 ka vjedhur dy televizorë në banesën e shtetasit D. D.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sendet që dyshohet se ky shtetas i përdorte për të kryer vjedhjet.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në rrethin e Kavajës, në të cilat mund të jetë i implikuar ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.