Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë – Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme. Më datë 18.06.2020, rreth orës 22:50, në Spitalin Rajonal Vlorë ka shkuar i dëmtuar nga një mjet prerës, shtetasi A. P., 25 vjeç, banues në Vlorë, i cili ka ndërruar jetë pak orë më vonë. Menjëherë pas ngjarjes, Policia nisi hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e saj dhe falë veprimeve të shpejta, hetimore dhe profesionale u bë identifikimi në kohë rekord, kapja dhe prangosja e autorit, shtetasit G. T., 15 vjeç, banues në Vlorë. Nga hetimet e kryera dyshohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “24 Maji” Vlorë, pranë vendit të quajtur “Ish-ushqimores”, ku pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi G. T. ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. P., i cili ndërroi jetë rreth 4 orë më vonë në ambientet e spitalit. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me ngjarjen e ndodhur.
Durrës – Vijon operacioni kundër krimeve mjedisore, zbatimit të pronës publike në plazhe, ndotjes së mjedisit dhe ndërtimeve pa leje. Kontrolle të shtuara në zonën bregdetare, nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT). Evidentohet në fshatin Rinia, një rast i zaptimit të pronës publike dhe ndërtimit pa leje. Procedohen penalisht 3 shtetas. Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IKMT-në, në fshatin Rinia, kanë konstatuar një ndërtim të paligjshëm (rikonstruksion të lëvizshëm), në një sipërfaqe toke, pronë publike plazh. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. Sh., 28 vjeç, A. M., 41 vjeç dhe A. M., 31 vjeç. Gjithashtu, në bashkëpunim me IKMT-në, u shemb objekti i ndërtuar pa leje dhe u vendos masë administrative 20 milionë lekë të vjetra. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.
Durrës – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike e llojit kokainë, një automjet, një sasi parash dhe eurosh të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, arrestuan në flagrancë shtetasit A. I., 45 vjeç dhe F. I., 14 vjeç (babë e bir), banues në Durrës. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. P., 36 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi u konstatuan nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 17, Durrës, duke shpërndarë lëndë narkotike të llojit kokainë në doza të vogla. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10.5 gr. lëndë narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, 7 aparate celularë, një automjet, një shumë parash dhe eurosh të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
OFL, 19 qershor – Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: K. D., banues në Sarandë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Vjedhja e mbetur në tentativë, në kuadër të gupit të strukturuar kriminal”; M. D., banues në Vlorë, i cili ka lidhje familjare me subjektin K. D., si rrjedhojë është subjekt i nenit 16 të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020 dhe Z. Gj., banuese në Elbasan, e dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Yrsheku”. Zbardhet ngjarja e ndodhur në datën 15.06.2020, në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, ku u qëllua me armë në drejtim të një kompleksi. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Gjatë operacionit u zbulua një banesë që përdorej si bazë nga një grup i strukturuar kriminal. Gjenden në banesë dhe sekuestrohen arsenal armësh zjarri, municione luftarake, lëndë eksplozive dhe granata. Vihet në pranga pronari i banesës, njëherësh autori i ngjarjes dhe pjesëtari i një grupi të strukturuar kriminal. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në datën 15.06.2020, në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, në fshatin Yrshek, ku u qëllua me armë në drejtim të një kompleksi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve intensive u siguruan informacione në rrugë operative se armët e përdorura dhe motomjeti me të cilin ishin larguar autorët ndodheshin në banesën e shtetasit G. H. Po në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohet se bashkautor në këtë ngjarje është edhe shtetasi E. M. Gjithashtu, po në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohej se banesa e shtetasit G. H. mund të përdorej si bazë për të fshehur armët dhe municionet luftarake të grupit kriminal. Bazuar në këto informacione, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacioni “Yrsheku”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi G. H. dhe u shpall në kërkim shtetasi E. M. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. H, shërbimet e Policisë zbuluan një arsenal armesh dhe municionesh që përdoreshin nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit ishte edhe shtetasi G. H. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15 armë zjarri (1 mitraloz i lehtë, 7 kallashnikovë, 3 pistoleta, 2 armë automatike MP7, 1 pushkë me dylbi dhe 1 armë gjahu) , 10 granata dore, 10 detonatorë, 10 kallëpe me tritol dhe fitil zjarrpërcjellës, një sasi fishekësh, një automjet dhe dy motorë sportivë. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 102 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 10 janë ndaluar dhe 77 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 5 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë dhe Vlorë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Gjirokastër dhe dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 raste i “Vrasja”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 9 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Gjirokastër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.