Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Bulqizë / Mat – U konfliktuan për motive të dobëta, arrestohen në flagrancë nga Policia dy shtetas. Ndërkohë, nga Policia e Matit është kapur dhe ndaluar një shtetas i shpallur në kërkim për “Dhunë në familje”. Rreth orës 14:00, datë 16.06.2020, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Pishat”, Bulqizë, po ndodhte një konflikt mes disa personave. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se pas një debati për motive të dobëta, shtetasi A. M. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin F. Xh., ndërsa ky i fundit e ka goditur shtetasin A. M., me një dërrasë, duke shaktuar dëmtime të lehta. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. XH., 25 vjeç dhe A. M., 28 vjeç, të dy banues në Bulqizë. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 4 Tiranë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim R. L., 62 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Mat, pasi në njësinë Administrative Lis, Bashkia Mat, për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan Prokurorisë Dibër dhe Mat, për veprime të mëtejshme.
OFL, 17 qershor – Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: S. T., banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”; I. I., banues në Shkodër, nën hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”; S. Xh., banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; Gj. P., banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”; A. P., banues në Tepelenë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Trafikimi i femrave”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Kuçovë, Berat – Vijon kontrolli intensiv i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të kanabisit. Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Goraj”. Vihet në pranga një shtetas, autor i dyshuar i tentativës për kultivim të kanabisit. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Goraj. Në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “Goraj”. Në kuadër të këtij operacioni, në një zonë të pyllëzuar të hapur rishtas për të kultivuar kanabis, u kap në flagrancë dhe u arrestua për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasi H .Q., 62 vjeç, lindur dhe banues në Sheqëz, Njësia Administrative Lumas. Gjatë kontrollit të ushtruar me këmbë, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuar në gota plastike fidanë kanabis dhe disa fidanë të tjerë të mbjellë në tokë. Po në vijim të veprimeve të para hetimore u procedua në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, kryeplaku i fshatit Goraj, shtetasi R. D., pasi gjatë ushtrimit të detyrës si kryeplak i fshatit Goraj nuk ka ushtruar kontroll territori për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për ndjekje të mëtejshme.
Krujë – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Gjatë kontrollit janë angazhuar 50 forca policie dhe 2 dronë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të kontrollit masiv të territorit, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe kapjen e personave përgjegjës, arrestuan në flagrancë shtetasit: B. Z., 26 vjeç dhe S. Z., 21 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, pasi gjatë kontrollit në afërsi të banesave të këtyre shtetasve janë konstatuar 3 ambiente ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu u arrestua shtetasi R. B., 31 vjeç, banues në fshatin Kameras, Krujë, pasi gjatë kontrollit në oborrin e banesës së tij u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 81 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 19 raste: 6 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 10 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 5 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Kukës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Dibër, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 13 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 3 në Durrës, 2 në Lezhë, 1 në Dibër, 1 në Elbasan, 2 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të “Mashtrimi”, 3 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Gjirokastër.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në Tiranë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.