Vijon kontrolli intensiv i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të kanabisit.
Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Goraj”.
Vihet në pranga një shtetas, autor i dyshuar i tentativës për kultivim të kanabisit.
Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Goraj.
Në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “Goraj”.
Në kuadër të këtij operacioni, në një zonë të pyllëzuar të hapur rishtas për të kultivuar kanabis, u kap në flagrancë dhe u arrestua për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasi H .Q., 62 vjeç, lindur dhe banues në Sheqëz, Njësia Administrative Lumas.
Gjatë kontrollit të ushtruar me këmbë, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuar në gota plastike fidanë kanabis dhe disa fidanë të tjerë të mbjellë në tokë.
Po në vijim të veprimeve të para hetimore u procedua në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, kryeplaku i fshatit Goraj, shtetasi R. D., pasi gjatë ushtrimit të detyrës si kryeplak i fshatit Goraj nuk ka ushtruar kontroll territori për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për ndjekje të mëtejshme.