Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Porositësi”. Parandalohet dhe zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 14.06.2020. Vihen në pranga porositësi dhe autori i tentativës për vënie të lëndës plasëse, të dy me precedentë të mëparshëm penal. Sekuestrohen armë zjarri, masa me lënde plasëse të montuara për shpërthim, doza me lëndë narkotike kokainë e heroinë dhe targa automjetesh të vjedhura. Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, në të gjithë qytetin e Vlorës janë shtuar patrullimet nga agjentët e Policisë Kriminale. Si rezultat  i mbajtjes nën vëzhgim të personave  të dyshuar për vendosje eksplozivi dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar  “Porositësi”, në kuadër të të  cilit u kap në flagrancë shtetasi M. G., 34 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky shtetas, më datë 14.06.2020, në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, ka tentuar të vendosë një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së shtetasit A. D., por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë u parandalua shpërthimi i lëndës eksplozive, pasi autori u kap në flagrancë në momentin që po vendoste lëndën eksplozive. Falë punës profesionale dhe hetimore u bë i mundur dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje, duke çuar në identifikimin, kapjen dhe arrestimin e porositësit, konkretisht shtetasit B. A., 50 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Nga kontrolli i ushtruar në banesat e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një bazë materialesh, të listuara si më poshtë: 1 armë zjarri e llojit revolver me dy fishekë, 2 sasi lënde të dyshuara eksplozive të llojit tritol, të montuara me kapsollë detonatorë me fitil zjarrpërcjellës, 21 doza të dyshuara me lëndë narkotike të llojit kokainë, 1 dozë e dyshuar lëndë narkotike e llojit heroinë, 1 peshore elektronike për peshimin e lëndës narkotike, 3 automjete (njëri rezulton i vjedhur në shtetin grek), 3 aparate celularë, targa të vjedhura, biçikletë etj. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Vlorës, në ngarkim të këtyre shtetasve, për veprime të mëtejshme.

OFL, 15 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:  M. S., banues në Kuçovë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim, K. J., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Vrasje me paramendim për shkak të cilësive të veçanta” dhe Q. R., banues në Gjirokastër, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Sarandë – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve, i koduar “Kraneja”. Arrestohen në flagrancë dy shtetas që tentuan të largoheshin, të cilët u kapën gjatë ndjekjes nga shërbimet e Policisë. Zbardhen dhe disa vjedhje të tjera në banesa, që dyshohet se janë kryer nga këta dy shtetas. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e vjedhjeve në banesa, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen e vënien para drejtësisë të autorëve, Policia e Sarandës, gjatë operacionit të koduar “Kraneja”, ka goditur një tjetër rast në fushën e vjedhjeve dhe ka zbardhur dhe disa raste të ndodhura më parë. Më datë 14.06.2020, shtetasit M. B., 42 vjeç dhe E. K., 38 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur disa bagëti të imta të shtetasit E. M., Sarandë. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur identifikimin e autorëve, të cilët në momentin që kanë parë shërbimet e Policisë kanë tentuar të largohen me shpejtësi me një motomjet, por janë kapur në flagrancë gjatë ndjekjes nga shërbimet e Policisë. Pas kontrollit të ushtruar Policia u ka gjetur  edhe një mjet prerës, i cili është sekuestruar në cilësinë e armës së ftohtë. Gjithashtu, nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas janë autorë të vjedhjeve së 3 banesave në pronësi të shtetasve O. S., N. S. dhe A. K., në fshatin Krane, disa ditë më parë, ku dyshohet se kanë marrë orendi shtëpiake me vlerë rreth 120.000 lekë. Materialet do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Tentuan të vidhnin me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, në një banesë, Policia zbardh ngjarjen. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Mozaiku”. Vihen në pranga 6 persona, 1 tjetër shpallet në kërkim. 4 ditë më parë, gjatë operacionit policor të koduar “Eksplozivi”, u arrestua dhe një pjesëtar i këtij grupi. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit dhe veshjet e përdorura gjatë tentativës për vjedhje, dy automjete, një sasi municioni luftarak dhe 5 telefona celularë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Frederik Shiroka”, persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin me armë në banesën e shtetasit E. M, por nuk kanë mundur, pasi janë diktuar nga të zotët e banesës, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga ana e strukturave për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacioni “Mozaiku”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit, për shtetasit: S. Q., 30 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje në bashkëpunim, P. S., 23 vjeç, A. K., 28 vjeç,  E. H., 25 vjeç, K. M., 33 vjeç dhe A. K., 31 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Si dhe u shpall në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. Sh., 29 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi F. A., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili është arrestuar gjatë operacionit policor të koduar “Eksplozivi”, si autor i dyshuar për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, ngjarje e ndodhur më datë 11.06.2020, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit” Tiranë, është bashkautor edhe në këtë ngjarje. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri pistoletë, veshjet e përdorura gjatë tentativës për vjedhje, një sasi municioni luftarak, dy automjete dhe 5 telefona celularë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit S. Q. dhe E. H., në bashkëpunim me shtetasin E. K. (i arrestuar më parë), janë autorë të vjedhjes së banesës së shtetasit M. Sh., ngjarje e ndodhur në muajin prill 2020. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta persona. Materialet do t’i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Tiranë – Policia parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti mes disa personave. Përdorën sende të forta gjatë konfliktit, arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 3, pas njoftimit të marrë për një konflikt të çastit në rrugën “Dritan Hoxha”, ku tre shtetas, për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë konfliktit kanë goditur me mjete të mprehta dhe sende të forta shtetasit Xh. M. dhe M. Q. dhe D. M., duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Pas një pune të mirorganizuar është bërë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasve:  B. S., 44 vjeç,  Sh. S., 48 vjeç dhe E. G., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjetin prerës (thikë) që përdorën autorët. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 178 shtetas, nga këta: 37 janë të arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 135 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 26 raste, konkretisht: 10 raste të “Kanosja”, 8 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 34 raste, 12 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 22 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 8 raste, me 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 14 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mashtrimi”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i prerjes së paligjshme të pyjeve, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 6 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 12 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.