Finalizohet me sukses operacioni i koduar “ORENDITË”.
Zbardhen nga Policia 8 vjedhje të ndodhura muajt e fundit.
Arrestohen 2 shtetas, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, si rezultat i një pune të mirorganizuar, kanë finalizuar me sukses operacionin e kapjes së këtyre dy shtetasve në banesat përkatëse të tyre:
R. A., 39 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje;
A. B., 54 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje;
Ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë u ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
Gjatë punës intensive dhe veprimeve hetimore për afro 3 muaj dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer 8 vjedhje në qytetin e Vlorës, të dokumentuara si më poshtë:
■Më datë 11.01.2020, në lagjen “Partizani” Vlorë, kanë vjedhur në banesën e shtetasit H. Gj., (i cili jeton jashtë shtetit), orendi shtëpiake me vlerë rreth 100.000 lekë;
■Më datë 29.01.2020, në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, kanë vedhur në banesën e shtetasit K. Sh., materiale me vlerë rreth 200.000 lekë;
■Më datë 12.03.2020, në lagjen “Rilindja” Vlorë, kanë vjedhur në banesën e shtetasit E. C., 1000 euro, 120.000 lekë dhe disa bizhuteri me vlerë rreth 50.000 lekë;
■Më datë 08.05.2020, në lagjen “Partizani” Vlorë, kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. S., orendi shtëpiake me vlerë 40.000 lekë;
■Më datë 10.05.2020, në lagjen “Lirimi” Vlorë, kanë vjedhur në banesën e shtetases S. B., sende elektroshtëpiake me vlerë rreth 870 euro;
■Më datë 17.05.2020, në lagjen “29 Nëntori” Vlorë, kanë vjedhur në banesën e shtetasit T. T., (i cili jeton jashtë shtetit), 2 televizorë me vlerë 50.000 lekë;
■Më datë 20.05.2020, në lagjen “10 Korriku” Vlorë, kanë vjedhur në banesën e shtetases R. B., bizhuteri me vlerë rreth 100.000 lekë;
■Më datë 29.05.2020, në lagjen “15 Tetori” Vlorë, kanë vjedhur në banesën e shtetasit E. K., sende me vlerë rreth 150.000 lekë;
Si rezultat i punës së dokumentuar është zbuluar se këta shtetas vidhnin banesa, kryesisht ato të cilat i kishin pronarët jashtë shtetit, me qëllim për të vjedhur sa më shumë pajisje elektroshtëpiake, veshje, bizhuteri, lekë etj.
Materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.