Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Strukturat e Policisë po përdorin dronët për monitorimin e zonave të thella pyjore. Gjatë kontrollit janë angazhuar 80 forca policie dhe 2 dronë. Nga kontrolleve me dronë nuk janë evidentuar raste të tentativës për kultivim të kanabisit. Në 24 orët e fundit është monitoruar zona e Krujës, konkretisht fshatrat Mafsheq, Cudhi dhe Nuoj. Kontrollet janë alternuar dhe vijojnë nga ajri dhe toka.
Durrës – Kontrolle antikanabis, arrestohen 2 shtetas, 1 në kërkim. Procedohet kryeplaku i fshatit, në gjendje të lirë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kontrolluan nga toka me këmbë për disa orë në fshatin Bizë. Në një ambient të hapur, të pyllëzuar, konstatuan një rast të kultivimit të kanabisit dhe vunë në pranga shtetasit R. S., 55 vjeç dhe S. D., 58 vjeç, banues në Lalëz dhe Draç. Policia shpalli në kërkim shtetasin G. B., banues në Bizë, Durrës. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi B. P., 46 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Bizë. Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë, duke kontrolluar dhe zonat më të largëta, duke përdorur edhe flotën e dronëve.
Vlorë – Policia ka vënë në pranga 2 shtetas në kërkim, të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata. Njëri i dënuar me 6 vite, ndërsa tjetri me 2 vite burgim. Në vijim të punës intensive për goditjen e paligjshmërie dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, strukturat policore të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë realizuar me sukses kapjen e dy shtetasve në kërkim: Vullnet Lelaj, 38 vjeç, banues në fshatin Mesaplik, Selenicë. Ky shtetas është dënuar me 6 vite burg, për veprën penale “Moskallëzim krimi, kryer në bashkëpunim”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në korrik të vitit 2016, në fshatin Vranisht, ku për motive të paqarta mbeti i vrarë një 20-vjeçar nga Librazhdi. Ky shtetas u kap duke udhëtuar me automjetin e tij në fshatin Ploç të Selenicës dhe është dënuar nga Gjykata edhe për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim; Ergest Sina, 29 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, sepse Gjykata e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për ngjarjen e ndodhur në janar të vitit 2016, në zonën e Skelës, pasi dyshohet se në bashkëpunim me një tjetër, ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Ditën e djeshme, pas kapjes së këtij shtetasi është ushtruar kontroll në banesën e tij në lagjen “24 Maji” Vlorë, ku janë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni luftarak (72 fishekë) dhe 1700 fara të dyshuara si cannabis sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Fier – Vijon operacioni antidrogë i koduar “Laboratori”. Shkon në 3 numri i të arrestuarve në kuadër të këtij operacioni. Kapet dhe ndalohet pronari që kishte përshtatur banesën si laborator për të kultivuar drogë, i cili ishte shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. K., 53 vjeç, banues në Mbrostar Ura. Në datën 01.05.2020, Policia e Fierit zbuloi një laborator që ishte në funksion të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë operacionit u vunë në pranga 2 autorë të dyshuar, u shpallën në kërkim 2 të tjerë dhe u proceduan penalisht 3 elektricistë. Ditën e sotme u bë e mundur kapja e njërit prej autorëve të shpallur në kërkim, i cili kishte përshtatur banesën si laborator për të kultivuar drogë. Vijon puna për kapjen e autorit tjetër që është shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Durrës – Kapen dhe ndalohen 2 persona të shpallur në kërkim kombëtar. Gjithashtu arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit Y. U., 47 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”; S. P., 25 vjeçe, banuese në Durrës, pasi Gjykata e Apelit Durrës e ka dënuar me 2 muaj burg, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për parandalimin e dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin K. C., 27 vjeç, banues në Krujë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës dhe motrës së tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një përforcues grushti. Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: E. D., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.56 mg/l dhe gjatë manovrës për të kthyer mjetin e tij, ka goditur në pjesën e pasme automjetin e Policisë, i cili ishte i parkuar dhe I. D., 22 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Korçë – Shkon në 9 numri i të ndaluarve në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurila” finalizuar në muajin nëntor 2019, ndalohet një bashkëpunëtor tjetër i implikuar në ngjarje. Në pranga vihet edhe një person tjetër i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentative” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në kuadër të operacionit të koduar “Kurila” të finalizuar në datën 16.11.2019, si rezultat i të cilit u ndaluan 8 shtetas, në vijim të veprimeve procedurale të kryera për dokumentimin ligjor të bashkëpunëtorëve të tjerë të kësaj ngjarje, bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasin në kërkim E. M., 34 vjeç, banues në Korçë, (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”). Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 14.05.2020, ka caktuar për 34-vjeçarin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”. Gjithashtu shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasin në kërkim K. X., 27 vjeç, banues në Korçë. Në datën 17.02.2020, në lagjen nr. 8, në Korçë, ky shtetas në bashkëpunim me vëllanë e tij shtetasin V. X., pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në drejtim të shtetasit V. B., i cili nuk ka pësuar dëmtime dhe janë larguar nga vendngjarja. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Kundërshtoi dhe goditi punonjësit e Policisë në detyrë, vihet në pranga 26-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë nga punonjësit e Policisë Rrugore dhe shërbimet e Rendit, se një drejtues mjeti nuk i ishte bindur urdhrit të ligjshëm për të ndaluar dhe i kishte kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit E. P., 26 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 05:00 të mëngjesit, në rrugën “Mikel Maruli”, punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor, së bashku me shërbimet e Komisariatit Nr. 6, në momentin e ndalimit të mjetit pas ndjekjes nga ana e tyre, pasi e kishin konstatuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ky shtetas i ka kanosur dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë. Gjatë shoqërimit për në Komisariatin Nr. 6, ky shtetas ka shfaqur sjellje agresive dhe të dhunshme dhe ka goditur muret e Komisariatit. Në cilësinë e provës materiale sekuestrua mjeti me të cilin ky shtetas po qarkullonte. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” ,“Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
OFL, 12 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: E. B., banues në Shkodër, për të cilin Gjykata e Lartë e Podgoricës, Mali i Zi, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Mbatja pa leje e armëve dhe eksplozivëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Malit të Zi; D. B., banues në Shkodër, nën hetim për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”; S. Gj., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”; A. H., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 99 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 9 janë ndaluar dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 2 në Lezhë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendej të lirë; 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 2 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 2 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Fier, 2 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të shkatërrimit të pronës, 2 në Tiranë, 2 në Vlorë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Gjirokastër.
Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 3 në Shkodër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.