Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 qershor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kavajë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Zhuri”. Operacioni pas 7 muajsh hetimi të zhvilluara nga Komisariati i Policisë Kavajë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë.   Goditen dy raste të shfrytëzimit për prostitucion dhe të mbajtjes së lokaleve për prostitucion. Vihen në pranga dy pronarë hotelesh, për shfrytëzim për prostitucion dhe për mbajtje të hoteleve për shfrytëzim prostitucioni. Në pranga edhe 5 shtetase që ushtronin prostitucionin. Gjithashtu arrestohet edhe një shtetas tjetër në flagrancë.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga dy pronarë hotelesh, kanë regjistruar procedimin penal në Prokurori dhe nën drejtimin e saj, pas 7 muajsh hetime siguruan prova për dokumentimin e këtij aktiviteti kriminal. Në këtë kuadër, nga Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Kavajë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe në bashkëpunim me Sektorin e Forcave Operacionale të DVP Tiranë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Zhuri”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë të lëshuara nga Gjykata, pas provave të siguruara gjatë hetimit dhe konkretisht ndaj shtetasve: B. Gj., 61 vjeç, banues në Rrogozhinë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Ky shtetas është pronar i një hoteli në zonën e quajtur”Bishti i Zhurit”, në Rrogozhinë; F. H., 58 vjeç, banues në Rrogozhinë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Ky shtetas është pronar i një hoteli në zonën e quajtur “Bishti i Zhurit”, në Rrogozhinë; M. M., D. M., G. D., Q. R. dhe V. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Prostitucioni”. Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., banues në Divjakë, pasi është kapur në flagrancë në ambientet e hotelit në pronësi të shtetasit B. Gj., duke kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, me shtetasen Q. R. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 370.000 lekë të reja, të përfituara nga shfrytëzimi i këtyre shtetaseve për prostitucion, 7 telefona celular dhe një autoveturë. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion“ dhe “Prostitucioni“.

Tiranë – Finalizohet operacioni “Pirateria”. Operacioni për goditjen e rasteve të piraterisë së të drejtave televizive. Vihen në pranga 3 shtetas. Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune operative dhe hetimore, finalizoi operacionin e koduar “Pirateria”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve E. D., 23 vjeç, J. S., 24 vjeç dhe T. K., 27 vjeç, të tre banues në Tiranë. Këta shtetas kanë piratuar platforma dixhitale, në dëm të disa kompanive, duke piratuar të drejtat televizive të këtyre platformave në mënyrë të paligjshme. Ky piratim është bërë nëpërmjet aparateve Dreambox, Androidbox, Set Top Box etj. Hakërimi i tyre është bërë nëpërmjet pajisjeve të sofistikuara që mundësojnë  transmetimin e sinjaleve televizive. Pagesat ndaj këtyre shtetasve bëheshin në formë cash, nëpërmjet llogarive bankare nga bankat e nivelet të dytë dhe nëpërmjet kartave të kreditit Paypal. Në cilësinë e provës u sekuestruan katër njësi kompjuterike të cilat shërbenin për piratimin e këtyre platformave, 6 aparate celular të markave të ndryshme, 14 Dreambox, Androidbox, Set Top Box dhe një automjet. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve E. D., J. S. dhe T. K., për veprat penale të “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale dhe intelektuale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Kamzë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shkuar në banesën e shtetasit Ronald Kryemadhi, për ta shoqëruar në Gjykatë, në zbatim të kërkesës së saj, për shoqërim të detyrueshëm të tij. Në momentin që shërbimet e Policisë kanë hyrë në banesë ky shtetas ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka kanosur punonjësit e Policisë për vrasje në rast se do afroheshin dhe më pas është mbyllur në banesë. Menjëherë në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar forcat e DVP Tiranë, FNSH dhe RENEA dhe është bërë rrethimi i banesës, vendosja e perimetrit të sigurisë, evakuimi i banorëve dhe ndalimi i qarkullimit në perimetrin e sigurisë. Pas negociatave të bëra nga Forcat Speciale RENEA me autorin, për t’u dorëzuar, ku i fundit,  pas gjysmë ore, është vetëdorëzuar, në pamundësi për t’u larguar nga banesa. Personi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, për veprimeve të mëtejshme. Grupi hetimor vijon kontrollin në banesë, për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.

Pogradec – Kanosi për shkak të detyrës punonjësin e Policisë dhe i dëmtoi automjetin me send të fortë, arrestohet në flagrancë nga Policia. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Q., 46 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec. Arrestimi i tij u bë pasi, ky shtetas në lagjen nr. 1, ka kanosur gjatë ushtrimit të detyrës, me një send (shkarkues elektrik) specialistin e policisë së zonës, shtetasin B. M. dhe ka dëmtuar me mjet të fortë automjetin tip “Mitsubishi” të këtij punonjësi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për hetime të mëtejshme.

Vlorë, Sarandë – Vijon kontrolli i subjekteve për veprimtarinë ligjore të tyre. Policia e Vlorës dhe IKMT ka kontrolluar 3 subjekte që merren me shfrytëzimin e zhavorrit të lumit Shushicë, njëri prej të cilëve në shkelje. Procedohen penalisht 1 shtetas në Vlorë dhe 2 të tjerë në Sarandë. Punonjësit e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me inspektorët e IKMT-së ushtruan kontroll në 3 firma që merren me shfrytëzimin e zhavorrit të lumit Shushicë, njëra prej të cilave është konstatuar duke punuar në shkelje. Policia ka nisur procedimin penal ndaj njërës prej firmave të shfrytëzimit të zhavorrit, me adminiatrator shtetasin P. Sh, pasi ka grumbulluar materiale inerte, si dhe ka ndryshuar destinacionin e tyre duke shpërdoruar tokën. IKMT ka marrë masën admininistrative të dënimit me gjobë 2 milionë lekë (të reja) ndaj subjektit, në lidhje me veprimtarinë e paligjshme të konstatuar. IKMT, gjatë 10 ditëve të fundit, ndaj dy subjekteve që shfrytëzonin pa leje materialin inert në lumin Shushicë, kanë marrë për secilin vendimin për dënim me gjobë 2 milionë lekë. Gjithashtu është penalizuar një subjekt me vendim për gjobë 500.000 lekë dhe vendim për prishje objekti të ndërtimit pa leje në Rezervatin Natyror të Menaxhuar të Karaburunit, Vlorë. Policia e Sarandës ka nisur procedimin penal ndaj shtetasve N. O. dhe I. Xh., pasi në lagjen Nr. 1 Sarandë dyshohet se kanë hedhur inerte në një sipërfaqe toke, duke ndotur kështu mjedisin. IKMT ka marrë masën e dënimit me gjobë 500.000 lekë dhe vendim për prishje në lidhje me veprimtarinë e paligjshme të konstatuar. Vijojnë veprimet e mëtejshme për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”. Policia e Shtetit dhe IKMT apelon për këdo të denoncojë shkeljet në mjedis dhe çdo paligjshmëri tjetër, në numrin falas 112 ose Komisariatin Dixhital.

OFL, 3 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: Y. M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim”; S. K., banues në Kavajë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”; B. H., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe E. T., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 22 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 65 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 4 raste të “Kanosja”,  2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 11 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Vlorë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes të energjisë elektrike, 1 në Berat dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 5 në Vlorë,  1 në Durrës dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar i rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, në Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.