Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Përsëritësi”. Vidhte me dhunë nëpërmjet kanosjes me thikë, këmbësorët që kalonin për në zonën e plazhit, vihet në pranga 29-vjeçari me precedent penal të mëparshëm në fushën e vjedhjes. Zbardhen dhe dokumentohen 4 vjedhje me dhunë, të ndodhura muajt e fundit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, si rezultat i një pune të mirorganizuar, në kuadër të operacionit policor “Përsëritësi”, arrestuan shtetasin E. H., 29 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas dyshohet se muajt e fundit ka kryer disa vjedhje me dhunë ndaj këmbësorëve, nëpërmjet kanosjes me thikë, të renditura si më poshtë: Më datë 10.05.2020, në lagjen nr. 14, te Ura e Dajlanit, i ka vjedhur me dhunë, 30.000 lekë, shtetasit R. Xh., 62 vjeç, banues në Arapaj, Durrës; Më datë 26.05.2020, në lagjen nr. 4, Durrës, dyshohet se i ka vjedhur shtetasit E. I., një aparat celular dhe shumën prej 6000 lekësh; Më datë 28.04.2020, në lagjen nr. 17/1, Durrës, dyshohet se i ka vjedhur shtetasit A. M., një aparat celular; Më datë 07.05.2020, në lagjen nr. 14, Durrës, dyshohet se nën kërcënimin e thikës, i ka vjedhur shtetasit G .S., shumën prej 22.000 lekësh. Materialet në ngarkim të shtetasit E. H. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Fresku”, zhvilluar nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 45-vjeçari. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, 1 shotgun, një sasi fishekësh dhe një sasi lënde narkotike e llojit kokainë. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë kanë marrë informacion në rrugë operative se një shtetas në zonën e Freskut qarkullonte në orët e pasdites, duke mbajtur me vete armë zjarri dhe lëndë narkotike. Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fresku”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. G., 45 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë operacionit, nga kontrolli fizik në çantën e dorës, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe një sasi e vogël lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Ndërsa gjatë kontrollit në banesë këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një tjetër armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një armë gjahu shotgun dhe një sasi fishekësh luftarak. Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.
Memaliaj – Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Vihet në pranga 1 shtetas. Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, kanë bërë arrestimin e shtetasit M. Sh., 60 vjeç, banues në fshatin Vasjar, Memaliaj, pasi në afërsi të stanit të tij, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Vasjar, u gjetën të kultivuar disa fidanë narkotikë. Vijon intensivisht kontrolli i territorit për evidentuar, parandaluar dhe goditur çdo tentativë për kultivim të bimëve narkotike. Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Skrapar/Berat – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, një person i shpallur në kërkim, i dënuar për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Skraparit, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë lokalizuar dhe kapur shtetasin Sazan Koromani, 44 vjeç, banues në Backë, Skrapar, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, pasi në gusht të vitit 2015, gjatë kontrollit nga forcat e Policisë, në tokat e marra me qira në fshatin Çemeric, Korçë, së bashku me shtetasin F. K., iu janë gjetur dhe sekuestruar bimë narkotike cannabis sativa. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, pasi Gjykata e Apelit Korçë e ka dënuar me 5 vjet burg, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Veprimet e mëtejshme për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.
Tiranë – Vijojnë operacionet kundër krimeve mjedisore. Procedohet penalisht një shtetas dhe referohen materialet për kompaninë në të cilën ai ishte i punësuar. Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e krimeve mjedisore dhe për menaxhimin e mbetjeve, shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 5, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, në vendin e quajtur “Varrezat”, në Bathore, kanë konstatuar shtetasin G. D., duke hedhur material (shtuf) që shkakton ndotje të ajrit. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 5 proceduan penalisht për veprën penale “Menaxhim i mbetjeve”, shtetasin G. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet për kompaninë në të cilën ishte punësuar ky shtetas. Nga ana e Policisë Bashkiake u vendos masa e gjobës 50 mijë lekë të reja. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Lezhë – Vijon operacioni për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisor. Procedohet penalisht një tjetër shtetas, për përpunim të inerteve dhe gjobitet nga IKMT-ja me masë administrative. Procedohet penalisht një 37-vjeçar dhe gjobitet, pasi shkarkonte mbetje në rrjetin e kanalizimeve të ujësjellësit. Një ditë më parë u proceduan dhe u gjobitën edhe dy shtetas të tjerë, për gërryerje të shtratit të lumit Mat. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me IKMT-në, kanë vijuar kontrollin përgjatë shtratit të lumit Mat, ku gjatë kontrollit është kapur në flagrancë duke nxjerrë materiale inerte dhe është proceduar shtetasi D. B., 56 vjeç, banues në Kurbin. IKMT e ka gjobitur shtetasin me masë administrative 2 milion lekë (të reja). Gjithashtu, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin G.A., 37 vjeç, banues në Ishull Lezhë. Shërbimet e Policisë dhe IKMT-së, gjatë kontrollit konstatuan se fabrika e përpunimit të peshkut, shkarkonte mbetjet në rrjetin e kanalizimeve të ujësjellësit në Shëngjin. IKMT-ja e ka gjobitur subjektin me masë administrative 500 mijë lekë (të reja) si dhe do të ndërpresë lidhjen me rrjetin e kanalizimeve. Kontrollet do të vijojnë për penalizmin e çdo subjekti që tenton të marrë inerte pa leje në shtratin e lumenjve apo që kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ambientit e lumenjve apo zjarrvënie të qëllimshme pyjeve dhe kullotave.
Tiranë – Vendoset sekuestro preventive për një llogari banke në shumën 400 mijë dollarë. Sekuestroja preventive ndaj një llogarie bankare të administratorit të në një shoqërie SHPK, pas hetimit të nisur nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”. Në zbatim të këtij procedimi, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tirane, për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në funksion të procedimit penal të vitit 2020 dhe vendimit të sekuestrimit datë 26.05.2020, u bë sekuestrimi i llogarisë bankare në shumën 400 mijë dollarë, në emër të shtetasit A. G., administrator i një shoqërie SHPK, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare” . Vendoja e sekuestros preventive, pas tentativës së bërë nga shtetasi A. G., për transfertën e shumës jashtë vendit, në Australi, në llogari të vëllait të tij. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera dhe bashkëpunëtorët në këtë aktivitet kriminal.
OFL, 28 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020 Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: O. I., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”; K. A., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”; E. K., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim” dhe I. R., banues në Shkodër, person nën hetim, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal” Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 65 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 51 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 5 raste të “Kanosja”, 4 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë dhe 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Tiranë , ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 3 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autoret po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 10 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 4 në Durrës, 4 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, në Tiranë.
Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.