Vijojnë operacionet kundër krimeve mjedisore.
Procedohet penalisht një shtetas dhe referohen materialet për kompaninë në të cilën ai ishte i punësuar.
Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e krimeve mjedisore dhe për menaxhimin e mbetjeve, shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 5, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, në vendin e quajtur “Varrezat”, në Bathore, kanë konstatuar shtetasin G. D., duke hedhur material (shtuf) që shkakton ndotje të ajrit.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 5 proceduan penalisht për veprën penale “Menaxhim i mbetjeve”, shtetasin G. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet për kompaninë në të cilën ishte punësuar ky shtetas.
Nga ana e Policisë Bashkiake u vendos masa e gjobës 50 mijë lekë të reja.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.