Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit
Berat – Humbi jetën fëmija 4 vjeç nga kontakti me rrymën elektrike, duke luajtur në lulishten në pedonalen e qytetit të Beratit, ndalohen Drejtori i shërbimeve në Bashkinë e Beratit dhe përgjegjësi i ndriçimit në zonat urbane, si dhe procedohen në gjendje të lirë 4 elektricistët e bashkisë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lulishten në pedonalen e qytetit Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë bënë ndalimin e shtetasve P. I., 32 vjeç, me detyrë Drejtor i shërbimeve në Bashkinë e Beratit dhe Ll. H., 61 vjeç me detyrë përgjegjës i ndriçimit në zonat urbane, të dy banues në Berat. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, shtetasi i mitur me iniciale A. B., 4 vjeç, duke luajtur në lulishten në pedonalen e qytetit të Beratit, ka gjetur vdekjen si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike. Po në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit F. T., H. I., E. B. dhe M. K., të katërt me detyrë elektricist pranë Bashkisë Berat. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Vlorë – Në lagjen “Uji i Ftohtë”, pranë zonës së quajtur “7 pallatet”, në rrethana ende të paqarta është vrarë në rrugë dyshohet me armë zjarri shtetasi K. B., 25 vjeç. Forca të shumta të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritën pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit/ëve. Gjatë krehjes së zonës, në një nga rrugicat e lagjes “10 Korriku” Vlorë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në flakë një automjet, brenda të cilit është gjetur një armë zjarri automatik kallashnikov, e cila dyshohet të jetë arma e krimit. Policia e Vlorës ka nisur të shoqërojë persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për grumbullimin e çdo prove të vlefshme, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor “Kombinacioni”. Zbardhet në kohë rekord vjedhja e një shume të madhe parash në automjetin e shtetasit F. B. Identifikohen, lokalizohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 17.5 milionë lekë të reja dhe 50 mijë franga. Strukturat për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas denoncimit të marrë nga shtetasi F. B., se më datë 22.05.2020, rreth orës 19:00, pranë Qendrës Kristal, në zonën e Komunës së Parisit, persona të paidentifikuar i kishin vjedhur një shumë të konsiderueshme parash prej 20 milionë lekësh të reja dhe 50 mijë franga, në automjetin e tij tip “Range Rover”, organizuan punën per zbulimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta, informacioneve të marra në rrugë operative dhe ndjekjes intensive për 24 orë u bë i mundur zbulimi dhe identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje. Po në vijim të punës intensive dhe veprimeve hetimore u bë lokalizimi i vendndodhjes së autorëve dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Kombinacioni”, u bë arrestimi në flagrancë i tyre në qytetin e Fierit, konkretisht: D. H., 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe G. K. 44 vjeç, banues në Tiranë; i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhje”. Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas kishin ndjekur lëvizjet e shtetasit F. B. dhe në momentin që ky shtetas është futur në qendrën tregtare, ata i kanë vjedhur shumën e parave në bagazhin e automjetit. Në momentin e kapjes, këtyre shtetasve iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi parash prej 17.5 milion lekësh të reja dhe 50 mijë franga. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.
Pukë – Qëlloi me armë zjarri në ajër duke krijuar panik tek banorët, identifikohet dhe arrestohet nga Policia 23-vjeçari. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit kallashnikov. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, pas telefonatës së marrë për të shtëna me armë zjarri fshatin Gojan i Madh, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe pas marrjes së informacionit për situatën e ndodhur, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Falë veprimeve të shpejta, informacioneve të marra në rrugë operative dhe si rezultat i një punë të mirorganizuar dhe reagimit të shpejtë, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Gj. 23 vjeç, banues në fshatin Gojan i Madh, Pukë. Ky shtetas kishte qëlluar disa herë në ajër, me një armë zjarri kallashnikov, duke krijuar panik te banorët e zonës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit me të cilën 23-vjeçari kishte kryer qitje në ajër. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Kavajë – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 29-vjeçari M. Xh. Vihet në pranga autori kryesor i dyshuar për plagosjen e 29-vjeçarit. Shpallen në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij. Sekuestrohet një antiplumb, dy automjete dhe katër telefona celular. Policia e Kavajës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit, tek ish-fabrika e letrës, në Kavajë, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi M. Xh., 29 vjeç, i cili u dërgua në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën, organizoi punën duke ngritur pika kontrolli, krehje të zonës, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë. Falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe veprimeve të shpejta e profesionale, pas disa minutash u bë e mundur kapja e njërit prej autorëve të dyshuar të plagosjes me armë të 29-vjeçarit. Në vijim të veprimeve u bë e mundur gjetja e automjetit me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes autori kryesor dhe falë administrimit të provave materiale dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 27 vjeç, banues në Kavajë, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes, kryer në bashkëpunim me shtetasit S. V., 40 vjeç dhe E. C., 35 vjeç. Të dy këta shtetas u shpallën në kërkim, së bashku me automjetin që janë larguar dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre, si dhe për gjetjen e sekuestrimin e automjetit në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin që drejtohej nga shtetasi V. H., brenda të cilit u gjetën një gëzhojë, një antiplumb, 4 aparate celular, si dhe një automjet tjetër në pronësi të shtetasit V. H. Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim’’ e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Tepelenë – Zbardhet dhe dokumentohet vjedhja me thyerje në një punishte mermeri. Kapen dhe vihen në pranga 4 autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura, të cilat kapin një vlerë të madhe monetare. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, menjëherë pas njoftimit të marrë për një rast të vjedhjes me thyerje në një punishte mermeri, ku ishin vjedhur vegla pune me vlerë të konsiderueshme monetare, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve profesionale dhe hetimore, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, shërbimet e Policisë bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes së ndodhur në datë 20.05.2020, në punishten e mermerit në pronësi të shtetasit S. G., banues në Tepelenë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasit M. M., 26 vjeç, M. M., 28 vjeç, S. Ç., 20 vjeç dhe S. Ç., 23 vjeç, të gjithë banues në Tepelenë, si autorë të dyshuar, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje në punishte, vegla pune si kompresorë, motosharrë, troko e materiale të tjera me vlerë të konsiderueshme monetare, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer dhe disa vjedhje të tjera në fshatrat e Tepelenës, ku vijon puna për dokumentimin me prova ligjore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.
Durrës – Vijon kontrolli masiv në terren, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Tentuan të kultivonin bimë narkotike, vihet në pranga 58-vjeçari dhe shpallet në kërkim djali i tij. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike, arrestuan në flagrancë shtetasin B. M., 58 vjeç, si dhe punohet për kapjen e shtetasit P. M., 29 vjeç (babë e bir), banues në Shijak, Durrës. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Sallmone, Shijak, në një zonë të pyllëzuar, gjetën fidanë të dyshuar cannabis sativa. Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e marra në rugë operative dyshohet se babë e bir janë autorë të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Krujë – Informacion paraprak/ Më datë 23.05.2020, rreth orës 03:50, ka bërë kallëzim shtetasi S. B., 51 vjeç, banues në Bathore, pasi duke drejtuar mjetin tip “BMW”, në aksin rrugor Thumanë-Laç, i është afruar një mjet ende i paidentifikuar, me disa persona brenda, duke iu prezantuar si punonjës police dhe në momentin që shtetasi S. B. ka ndaluar, e kanë zbritur nga mjeti me forcë, dyshohet nën kërcënimin e armës dhe i kanë marrë mjetin e tij. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikim dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 167 shtetas, nga këta: 27 janë të arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 136 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 22 raste, konkretisht: 9 raste të “Kanosja”, 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 18 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 21 raste, 5 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 16 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 7 raste të vjedhjes së energjisë elektrike dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 6 raste, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 16 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 14 raste aksidentesh, me 20 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 12 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.