Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 51-vjeçari i dënuar me 15 vjet burg për veprat penale “Trafik i narkotikëve” dhe “Organizatë kriminale”. Operacioni nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Strukturat e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana dhe Departamentit të Policisë Kriminale, pas informacioneve të marra në rrugë operative bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Ladio Braci, 51 vjeç, lindur në Ballsh dhe banues në Shkodër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Padovas, Itali, në vitin 2017 e ka dënuar me 15 vjet burg (nga të cilat i mbeten për të vuajtur edhe 12 vjet burg), për veprat penale “Trafik i narkotikëve” dhe “Organizatë kriminale”. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar lëndë narkotike nga vende të tjera drejt Italisë.  Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe Marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet, nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.

Durrës – Bien në prangat e Policisë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Plagosi me thikë 2 shtetas, arrestohet në flagrancë 19-vjeçari. Kundërshtoi punonjësit e Policisë, theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe urdhrin për t’u vetëkarantinuar, arrestohet 26-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin: B. K., 19 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 11, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta,  ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), shtetasit R. Z., 21 vjeç dhe L. H.,23 vjeç, banues në Durrës, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi M. B., 26 vjeç, banues në Durrës. Për këtë shtetas, në kuadër të masave të mara për parandalimin e përhapjes së COVID-19, nga IEVP Rrogozhinë është vendosur që dënimin e mbetur ta kryente në shtëpi, duke u vetëkarantinuar. Pas konstatimit se ky shtetas ndodhej jashtë ambienteve të banesës së tij, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe vetëkarantinimin, është shoqëruar në ambientet e Policisë nga shërbimet e Policisë, të cilët i ka kundërshtuar me dhunë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Tentativë për vrasje”, ” Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë”.

Vlorë – Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë. Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 63-vjeçari i dënuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Emigracion i paligjshëm”. Operacioni nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Shërbimet e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana dhe Departamentit të Policisë Kriminale, bënë të mundur lokalizimin në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë dhe arrestimin e shtetasit shqiptar Bashkim Alushaj, 63 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore italiane, pasi Gjykata e Barit, Itali, e ka dënuar me 6 vjet burg, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Emigracion i paligjshëm”, parashikuar nga Ligji italian për drogat. Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe Marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.

Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Waiting”, pas një hetimi disamujor.  Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit. Kapet dhe ndalohet nga Policia 39-vjeçari me precedent të theksuar kriminal. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorinë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi disamujor, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “Waiting”, duke goditur një rast të shfrytëzimit të femrave për prostitucion. Në kuadër të hetimeve të procedimit penal të nisur në vitin 2019 është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale dhe të ndalohet shtetasi A.M. (alias A. U.,) 39 vjeç, lindur në Rrëshen dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Trafikim të personave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion”. Ky shtetas shfrytëzonte për prostitucion një 22-vjeçare dhe po përgatitej për ta trafikuar drejt Belgjikës, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike, 1 aparat celular dhe një dokument i dyshuar i falsifikuar. Gjatë shoqërimit për në Komisariat, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.  Gjithashtu është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasja M. M., 21 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat ‘’Shfrytëzimi i prostitucionit’’, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasit A. M. (A. U.), si dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetases M. M.

Tiranë – Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor filloi procedimi ne gjendje të lirë për shtetasit: O. P., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Memo Meto”, duke drejtuar mjetin tip “Benz, ka përplasur biçiklistin B. M., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, u largua për në banesë;  K. Z., 47 vjeç, banues në Fushë Prezë, sepse në rrugën “Taulantët”, duke drejtuar mjetin tip “BMW X5” ka përplasur dy biçiklistët e mitur me iniciale A. GJ. dhe K. K., të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën; E. C., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Teodor Keko”, duke drejtuar mjetin tip “Tata” është përplasur me mjetin tip “Benz” me drejtues K. A., ku për pasojë është dëmtuar dhe pas mjekimit në spital u largua në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

OFL, 22 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. R., banues në Korçë, i dënuar nga Gjykata e Apelit të Selanikut, për veprën penale “Trafikim i  lëndëve narkotike”; F. A., banues në Korçë, i dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”; M. B., banues në Pogradec, i dënuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim dhe Sh. Sh., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”; Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 59 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 17 raste: 7 raste të “Kanosja”, 4 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Vlorë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Fier dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 3 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtim, në Berat.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.