Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejtë Italisë, 50-vjeçari i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Operacioni nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Shërbimet e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana due Departamentit të Policisë Kriminale, bënë të mundur lokalizimin në Shijak dhe arrestimin e shtetasit shqiptar Rudin Koni, 50 vjeç banues në Maminas, Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore italiane, pasi Gjykata e Milanos, Itali, e ka dënuar me 10 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Ligji italian për drogat. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë, sasi lënde narkotike të llojit kokainë, me qëllim shitjen në Milano dhe Salento, Itali. Arrestimi provizor u krye me qellim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe Marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.

Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Y. Sh., 37 vjeç, banues në Kurjan, Roskovec. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e vëllait të tij, shtetasit D.Sh., 39 vjeç. Gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Kurjan, në oborrin e banesës së tyre u gjetën të kultivuara disa fidanë narkotike të dyshuara canabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Tepelenë – Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Vihen në pranga 3 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, kanë bërë arrestimin e shtetasve A. Zh., 19 vjeç, banues në fshatin Veliqot, Tepelenë, E. Xh., 47 vjeç, banues në fshatin Veliqot, Tepelenë dhe K. Gj, 39 vjeç, banues në fshatin Hormovë, Tepelenë, pasi në oborret e banesave të tyre u gjetën kubikë të kultivuar me fara kanabisi.

OFL, 21 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: D. L., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim; T. N., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, “Kundërshtim i punonjësit të Rendit Publik” dhe “Shkatërrim prone”; M. I., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vjedhja me armë” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 26 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 7 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë, 2 në Vlorë dhe 1 në Shkodër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Vlorë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë;  1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar 1 rast “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritur”, në Gramsh, ku autori është ndaluar.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Berat dhe 1 në Gjirokastër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.