Forcat e Policisë së Shtetit, që prej orëve të para të mëngjesit të datës 17 maj 2020, me kërkesë nga Inspektorati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, vijojnë të jenë në mbështetje të aksionit për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij.
Gjatë kryerjes së detyrës, forcat e Policisë janë kundërshtuar me dhunë nga persona që ishin grumbulluar për të mos lejuar prishjen e godinës, duke tentuar që të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.
Disa persona nga radhët e tubuesve kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta dhe shkopinj, duke lënduar 7 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së posaçme “Shqiponja”. Ata kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Traumës dhe spitalin “Nënë Tereza” dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 64 persona, për veprime arbitrare dhe kundërshtim me forcë të forcave të rendit në detyrë.
Në përfundim të veprimeve të kryera, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 3, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, 7 shtetas:
- A., 38 vjeç;
- Q., 37 vjeç;
- N., 35 vjeç;
- L., 35 vjeç;
- M., 33 vjeç,
- T., 30 vjeç;
- Xh., 33 vjeç.
U proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, 21 shtetas.
Për 36 persona të tjerë që ishin të shoqëruar në ambientet e Komisariateve u mor masë administrative në zbatim të Aktit Normativ për marrjen e masave të veçanta kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Policia e Shtetit apelon për organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, se grumbullime të tilla janë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Aktin Normativ, duke u shndërruar në një rrezik potencial për përhapjen e infeksionit COIVD-19, pasi Tirana është ende një zonë e kuqe në hartën epidemiologjike të vendit.