Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin – Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Shemria”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit. Vihet në pranga një 46-vjeçar. Sekuestrohen një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa, municion luftarak, kallëp me tritol dhe granatë difensive. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Kurbinit dhe me Prokurorinë e Kurbinit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, si dhe në bazë të një hetimi disaditor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shemria”, në kuadër të të cilit arrestuan në flagrancë shtetasin P. G., 46 vjeç, banues në fshatin Shemri, Kurbin. Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 0.5 kg lëndë narkotike, fishekë luftarak, 1 kallëp tritoli dhe një granatë difensive me ndezës të pavendosur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Shkodër – Kanosi me armë punonjësit e Policisë, arrestohet në flagrancë 52-vjeçari. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy armë gjahu. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas njoftimit të marrë për një konflikt në familje në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Në momentin që punonjësit e Policisë janë afruar te banesa, i zoti i banesës i cili ishte duke u konfliktuar me bashkëshorten, ka marrë një armë gjahu dhe ka kanosur punonjësit e Policisë për të mos u afruar në banesë, pasi do qëllonte në drejtim të tyre. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të forcave policore u bë neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. B., 52 vjeç, banues në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë gjahu model “Broëning” dhe 170 fishekë me kalibër 12mm, të cilat i mbante me leje. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bankieri”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndalohet një 35-vjeçar, pasi duke shpërdoruar detyrën, ka vjedhur një shumë parash në llogarinë rrjedhëse të një klienti. Nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor është bërë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Bankieri”, në kuadër të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F. N., 35 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, duke shfrytëzuar pozicionin e tij si drejtor i një filiali të një banke të nivelit të dytë, ka vjedhur në llogarinë rrjedhëse të një klienti, një shumë prej 30.000 dollarësh amerikanë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Specialistët e Seksionit të Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim T. H., 25 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.
Në vijim të kontrollit të territorit për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimeve pa leje, nga shërbimet e Policisë janë proceduar penalisht shtetasit A. M., I. P., B. G. dhe E. D, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi E. C., 31 vjeç, pasi i ka mbajtur pa të drejtë pagën e një viti shtetasit B. D
Sarandë – Vijon kontrolli i territorit për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimeve pa leje, informalitetit dhe evazionit fiskal. Mori ryshfet për të mos prishur ndërtimin pa leje, vihet në pranga inspektori i IKMT-së. Arrestohet edhe pronari i objektit, i cili ofroi paratë. Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash. Gjithashtu është arrestuar edhe një shtetas tjetër që u kap duke ndërtuar një magazinë pa lejen përkatëse. Strukturat e Policisë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, gjatë kontrollit të territorit kundër informalitetit, evazionit fiskal dhe ndërtimeve pa leje, kanë zbuluar një skemë përfitimi abuziv mbi një ndërtim pa leje në Ksamil, Sarandë. Konkretisht, shtetasi A. B., me detyrë inspektor i verifikimeve në terren në Drejtorinë e Përgjithshme të IKMT-së Tiranë, dyshohet se ka marrë ryshfet një sasi prej 5000 eurosh dhe 350.000 lekësh nga shtetasi V. V., me qëllim për të mos i prishur këtij të fundit një pjesë të një objekti në Ksamil, e cila rezultonte pa lejen e organeve kompetente. Menjëherë në përfundim të veprime, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit A. B., 35 vjeç, banues në Tiranë (inspektori) dhe V. V., 42 vjeç, banues në Sarandë (pronari i objektit). Gjithashtu nga kontrolli personal shtetasit A. B. i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 5000 euro, 350.000 lekë, një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa dhe 3 aparate celularë. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, për veprime të mëtejshme. Po në vijim të kontrolleve për parandalimin e ndërtimeve pa leje, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin D. A., 34 vjeç, banues në Sarandë, i cili është konstatuar duke ndërtuar një magazinë në lagjen nr. 1, Sarandë, pa lejen e organeve kompetente.
Maliq – Finalizohet një tjetër operacion policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Pas një hetimi të kryer nga DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, DVP Durrës dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, u finalizua operacioni i koduar “Koordinimi”. Kapen duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 3 shtetas, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim nga DVP Gjirokastër. Nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, DVP Durrës dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Koordinimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: I. H., 28 vjeç, banues në Durrës, A. L., 41 vjeç, banues në Durrës due S. K., 31 vjeç, lindur në fshatin Pirg, Maliq, banues në Durrës, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin e datës 23.01.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Shtetasit e mësipërm janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë në afërsi të qytetit të Maliqit, duke transportuar me tre automjete, në drejtim të Tiranës, 6 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve nga hetimet e kryera rezulton se iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës prej 150 euro secilit. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Maliq – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. M., 37 vjeç, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me vajzën e tij 18-vjeçare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Fier – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrollit nga strukturat e Policisë dhe informacioneve të mara nga qytetarët është bërë i mundur parandalimi dhe goditja e një tentative për kultivim të bimëve narkotike. Sekuestrohen fidanë narkotikë, vihet në pranga një shtetas. Shërbimet e Policisë Fier, në vijim të kontrollit të pandërprerë për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative nga qytetarët, kanë bërë të mundur që në fshatin Buzmadh të parandalojnë dhe të godasin një tentativë të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrollit u gjetën dhe sekuestruan rreth 350 fidanë narkotikë dhe si rezultat i veprimeve të shpejta u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit që po tentonte për t’i kultivuar G. Y., 31 vjeç, banues në Buzmadh, Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike.
OFL, 13 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve M. L., banues në Shkodër, i cili aktualisht është i paraburgosur në burgun e Shkodrës, I. L., B. C., dhe G. C., banues në Shkodër. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 68 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, ne Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 2 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Korçë, 1 në Dibër dhe 1 në Fier.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.