Policia zbardhi në kohë rekord ngjarjen dhe shoqëroi personat e përfshirë në konflikt, si dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së dyfishtë, i cili u largua menjëherë pas ngjarjes.
Si rezultat i kontrolleve të shumta, rrethimit të zonës dhe pamundësisë për t’u larguar, autori i dyshuar i ngjarjes i është vetëdorëzuar shërbimeve të Policisë.
Policia, rreth dy kilometra larg vendit të ngjarjes, ka gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit kallashnikov me të cilën autori plagosi dy shtetasit (dajë e nip).
Rreth orës 20:10, në Mamurras, Kurbin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, janë plagosur me armë zjarri shtetasi A. M., 53 vjeç dhe nipi i tij shtetasi K. L., 29 vjeç, të cilët ndodhen për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit dhe shoqërimi në Komisariatin e Kurbinit, i personave të përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi Gj. Sh, djali i tij shtetasi E. Sh. dhe shtetasi P. L. (daja i E. Sh) , si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., djali tjetër i shtetasit Gj. Sh.
Shtetasi A. Sh., 26 vjeç, autor i dyshuar i ngjarjes, në pamundësi për t’u larguar është vetëdorëzuar të shërbimet e Policisë disa kilometra larg vendit të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i tij në flagrancë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.