Kukës/Vijojnë takimet informuese dhe sensibilizuese në shkolla, në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”

📌 Kukës/Vijojnë takimet informuese dhe sensibilizuese në shkolla, në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”.

Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Policia e Kukësit vijon aktivitetet ndërgjegjësuese me nxënësit, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative dhe rritjen e sigurisë në mjediset shkollore.

Takimi i radhës u zhvillua në gjimnazin “Havzi Nela”, me nxënësit e klasave XI, ku u diskutua mbi parandalimin e dhunës dhe bullizmit, rëndësinë e raportimit të rasteve, sigurinë në internet, si dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e lëndëve narkotike, duhanit, alkoolit dhe mbajtjen apo përdorimin e armëve të vogla dhe të lehta (AVL).

Gjithashtu, në kuadër të fushatës sensibilizuese kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, u përcollën mesazhe ndërgjegjësuese mbi format e dhunës, pasojat e saj, rëndësinë e denoncimit dhe nevojën për reagim në kohë.

Në takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Komisariatit të Policisë Kukës, Kryekomisar Ledian Kerka, i cili u njoh me problematikat e ngritura nga përfaqësuesit e shkollës, me qëllim bashkëpunimin dhe marrjen e masave për adresimin e tyre.

Përmes bashkëbisedimit dhe këshillave praktike, nxënësve iu përcollën mesazhe për respektin, tolerancën, barazinë dhe rëndësinë e denoncimit të çdo forme dhune.

Policia e Kukësit vijon angazhimin në bashkëpunim me institucionet arsimore, për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e të rinjve dhe krijimin e një mjedisi shkollor e shoqëror të sigurt për të gjithë.

#PoliciaShkollë 👮🏻‍♂️
#SiguriaETëRinjve
#StopDhunës
#SëBashkuPërNjëKomunitetTëSigurt