Tiranë/ Zhvillohen takime sensibilizuese në disa shkolla, për sigurinë e nxënësve

Tiranë/ Zhvillohen takime sensibilizuese me nxënësit e disa shkollave, për sigurinë në shkolla dhe sigurinë kibernetike.

Specialistë të Krimit Kibernetik dhe punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë zhvilluan takime bashkëbiseduese me nxënësit e disa shkollave në Tiranë, me fokus ndërgjegjësimin e tyre për sigurinë në mjediset shkollore dhe në hapësirën digjitale.

Gjatë takimeve u diskutua mbi problematikat që lidhen me sigurinë në shkolla, parandalimin e bullizmit kibernetik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe rreziqet që mund të hasen gjatë përdorimit të rrjeteve sociale.

Gjithashtu, nxënësit u informuan mbi rëndësinë dhe funksionimin e sistemit “Smart City”, si një mekanizëm në shërbim të sigurisë publike.

Përmes bashkëbisedimeve të hapura, nxënësit patën mundësi të parashtronin pyetje, të ndanin shqetësimet e tyre dhe të merrnin këshilla praktike për të identifikuar dhe parandaluar situatat e rrezikshme, si në shkollë, ashtu edhe në internet.

Policia e Tiranës vijon takimet sensibilizuese në institucionet arsimore, me synim edukimin, ndërgjegjësimin dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë.