Shkodër/Zhvillohet takim me nxënësit, në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”

Shkodër / Policia pranë nxënësve!

Në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”, punonjësit e Policisë po vijojnë takimet informuese dhe ndërgjegjësuese në shkollat e qarkut të Shkodrës.

Shefi i Sektorit të Rendit Publik të DVP Shkodër, ndihmësspecialisti për edukimin në shkolla dhe punën me të rinjtë, si dhe punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër zhvilluan një takim me nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori”, me pjesëmarrjen e drejtoreshës së shkollës, stafit pedagogjik dhe oficerit të sigurisë.

Gjatë takimit u diskutua për sigurinë brenda dhe jashtë ambienteve shkollore. Vëmendje e veçantë iu kushtua këtyre temave.

* Parandalimi i dhunës dhe njohja e formave të ndryshme të shfaqjes së saj.
* Evidentimi dhe parandalimi i bullizmit, veçanërisht në hapësirën digjitale, si dhe faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tij dhe pasojat te fëmijët dhe të rinjtë.
* Rëndësia e raportimit dhe denoncimit në kohë të çdo rasti dhune apo bullizmi.
* Rreziqet në internet dhe rëndësia e përdorimit të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale.

Gjithashtu, nxënësit u informuan për rreziqet dhe pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit, si dhe të mbajtjes dhe përdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL).

Nxënësit dhe stafi pedagogjik patën mundësi të ndanin shqetësimet e tyre, të drejtonin pyetje dhe të merrnin këshilla praktike nga përfaqësuesit e Policisë.

Këto takime synojnë ndërgjegjësimin e të rinjve, parandalimin e sjelljeve të rrezikshme dhe nxitjen e bashkëpunimit me Policinë, për një mjedis më të sigurt brenda dhe jashtë shkollës.

DVP Shkodër mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit me institucionet arsimore, në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes së të rinjve.