Tiranë/Qarkullonin me armë zjarri në automjet, vihen në pranga 4 shtetas, mes tyre 2 ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Qarkullonin me armë zjarri në automjet, vihen në pranga 4 shtetas, mes tyre 2 ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, gjatë kontrolleve të ushtruara pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, kanë konstatuar një automjet të markës “Audi”, me të cilin qarkullonin 4 shtetas.

Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar, në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të tij, u gjet një armë zjarri pistoletë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet një armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i shtetasve E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç, ushtarak, dhe E. S., 46 vjeç, ushtarak.

Arma e zjarrit e gjetur në automjet u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një fenelinë, si ato të policisë, që dyshohet se e mbante shtetasi I. Sh. Ndërsa, për armën e zjarrit që iu gjet gjatë kontrollit fizik punonjësit të Gardës së Republikës, po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të secilit shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.