Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore janë finalizuar 2 operacione për zbardhjen e një rasti të abuzimit seksual me një shtetase të mitur dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Janë kapur 4 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

U arrestuan shtetasi E. V., 50 vjeç, pasi dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës shtetasin M. H., 39 vjeç, përmbarues, në zyrën e tij përmbarimore, në Durrës;

E. Rr., 34 vjeç, pasi dyshohet se më datë 13.11.2026, në Tiranë, ka dhunuar dhe mbajtur pa dëshirën e saj, në banesën e tij, një 29-vjeçare.

Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasve F. D., 35 vjeç dhe A. D., 34 vjeç, pasi dyshohet se mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në Durrës, shtetasi F. D. ka plagosur me thikë shtetasin A. G., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, dhe më pas shtetasi F. D. është larguar bashkë me shtetasin A. D..

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 6 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi N. R., 32 vjeç, pasi në llogaritë e tij në rrjetet sociale ka bërë thirrje publike për veprime të dhunshme.

Janë arrestuar 8 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.

Gjithashtu, u arrestuan shtetasit:

E. S., 23 vjeçe, banuese në fshatin Zagorë, pasi dje, në aksin rrugor “Koplik-Shkodër”, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin J. Rr., 27 vjeç, banues në fshatin Dajç. Nga aksidenti janë dëmtuar shtetasi J. Rr. dhe 7 pasagjerë nga të dy automjetet. 4 shtetas morën mjekim dhe dolën nga spitali, ndërsa 4 vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve;

G. B., 44 vjeç, pasi dje, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin K. H., 40 vjeç, këmbësor, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës.

Janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandë mallrash.

Fier/Informacion paraprak – Rreth orës 12:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim nga familjarët, për humbjen e kontakteve me shtetasin D. T., 36 vjeç, banues në Fier, i cili jetonte vetëm. Pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë ndërhyrë në banesën e tij dhe kanë gjetur pa shenja jete 36-vjeçarin, i cili dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.