Elbasan/Siguria në shkolla, objektiv parësor për Policinë!
Në kuadër të masave për garantimin e sigurisë në institucionet arsimore dhe parandalimin e fenomeneve që cenojnë mirëqenien e të rinjve, shefi i Komisariatit të Policisë Elbasan Kryekomisar Oltion Demiraj, së bashku me specialisten e Policimit në Komunitet, zhvilluan një takim me stafin pedagogjik të shkollës 9-vjeçare “Sulë Harri”, si dhe bashkëbiseduan me nxënësit e klasave të 9-ta.
Gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë e krijimit të një mjedisi shkollor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe pa dhunë, duke u ndalur te parandalimi i konflikteve ndërmjet bashkëmoshatarëve, bullizmit dhe bullizmit kibernetik, si dhe te problematika të tjera që mund të cenojnë sigurinë e nxënësve.
Gjithashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua ndërgjegjësimit të të rinjve mbi pasojat që vijnë nga përdorimi i lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit, si dhe rrezikshmërisë së mbajtjes dhe përdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL). Nxënësve iu shpjeguan rreziqet që paraqesin këto armë për jetën dhe shëndetin, pasojat ligjore të përfshirjes në veprimtari të paligjshme, si dhe rëndësia e raportimit të çdo rasti të mbajtjes apo përdorimit të tyre.
Gjatë bashkëbisedimeve u theksua rëndësia e komunikimit, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit me Policinë, duke i nxitur nxënësit të denoncojnë dhe të kërkojnë ndihmë sa herë përballen me situata problematike apo shqetësuese.
Policia e Elbasanit do të vijojë bashkëpunimin me institucionet arsimore, stafet pedagogjike, nxënësit dhe prindërit, me synim parandalimin e paligjshmërisë dhe garantimin e sigurisë së të rinjve brenda dhe jashtë ambienteve shkollore.
#nxënësittëparët
#Policiapranëjush
