Fier/Homazhe në nderim të Kryekomisar Ermal Lulaj

Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier u zhvilluan homazhe në nderim të Kryekomisar Ermal Lulajt, i cili humbi jetën në një aksident rrugor.

Në homazhe mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, i shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Në nderim të kujtimit të tij u bashkuan gjithashtu kolegë, miq, qytetarë dhe përfaqësues të medias.

Drejtori i Përgjithshëm, Skender Hita, iu përcolli familjarëve ngushëllimet më të sinqerta, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e parakohshme të Ermalit. Ai vlerësoi përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij shumëvjeçar në shërbim të Policisë së Shtetit, duke theksuar se Ermal Lulaj do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje nga kolegët dhe i gjithë komuniteti i Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i siguroi familjarët dhe fëmijët e Ermalit se do të kenë përherë mbështetjen e Policisë së Shtetit.

Ermal Lulaj iu bashkua Policisë së Shtetit më 28 dhjetor 2006 dhe për afro 20 vjet i shërbeu me përkushtim këtij institucioni, duke kontribuar në disa struktura policore, kryesisht në fushën e hetimit të narkotikëve, në qarqet Fier, Berat dhe Korçë.

Në detyrën e tij të fundit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, mbante gradën Kryekomisar dhe shërbente si Shef i Sektorit të Krimeve të Rënda.

Ndarja e tij nga jeta, në moshën 41-vjeçare, është një humbje e rëndë për familjen, kolegët dhe gjithë komunitetin e Policisë së Shtetit.

U prehsh në paqe, miku, shoku dhe kolegu ynë!