Korçë/Programi “Siguria e të Rinjve”, zhvillohet takim me nxënësit e shkollës “Themistokli Gërmenji”

Korçë/Policia pranë nxënësve!

Në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”, punonjësit e Policisë po zhvillojnë takime informuese dhe ndërgjegjësuese në shkolla të tjera në qarkun Korçë.

Shefi i Seksionit të Policimit në Komunitet, shefi i Seksionit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe disa punonjës policie, të DVP Korçë, zhvilluan takim me nxënësit e shkollës “Themistokli Gërmenji”, në të cilin ishin të pranishëm drejtoresha e shkollës, stafi pedagogjik dhe oficerja e sigurisë.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me sigurinë në shkollë dhe jashtë saj, parandalimin e bullizmit, veçanërisht atij në hapësirën digjitale, dhunës dhe fenomeneve të tjera negative. Nxënësit dhe stafi pedagogjik i shkollës patën mundësi të ndanin shqetësimet e tyre, të drejtonin pyetje dhe të merrnin këshilla praktike nga përfaqësuesit e Policisë.

Gjithashtu, nxënësit u informuan mbi rreziqet që vijnë nga përdorimi i lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit, si dhe nga mbajtja dhe përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta (AVL).

Përmes takimeve dhe aktiviteteve informuese, synohet parandalimi i këtyre fenomeneve, promovimi i sjelljeve të përgjegjshme dhe rritja e sigurisë për nxënësit brenda dhe jashtë ambienteve shkollore.

Policia mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit me institucionet arsimore dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbrojtjen e tyre nga paligjshmëritë.