Rendi dhe siguria publike, siguria në shkolla, parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe ndjekja në dinamikë e konflikteve, në fokus të takimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me drejtorët vendorë të Policisë.
Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi punën e bërë për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe falënderoi drejtuesit për angazhimin e tyre, por theksoi se këto rezultate nuk janë të mjaftueshme. Rezultatet konkrete në përmirësimin e parametrave të sigurisë, si dhe shërbimi me etikë, humanizëm dhe përkushtim ndaj qytetarëve, janë çelësi i suksesit të Policisë dhe i fitimit të besimit të qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal nga drejtorët vendorë dhe rezultate konkrete në përmbushjen e detyrave, si dhe tërhoqi vëmendjen për përmirësimin e disa komponentëve, konkretisht:
-Rritjen e cilësisë së informacioneve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale;
-Përmirësimin e imazhit të Policisë dhe rritjen e besimit të qytetarëve përmes iniciativave konkrete;
-Komunikimin e drejtpërdrejtë të drejtuesve me qytetarët;
-Forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet DVP-ve, DVKM-ve dhe strukturave të tjera, për reagim në kohë reale;
-Përqendrimin e punës për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore;
-Rritjen e hetimeve proaktive dhe goditjen e krimeve në të gjitha fushat, përfshirë narkotikët, trafiqet dhe krimin ekonomik;
-Angazhimin e drejtpërdrejtë të drejtuesve për garantimin e sigurisë në shkolla, rritjen e pranisë policore dhe parandalimin e konflikteve ndërmjet nxënësve, në bashkëpunim me stafet arsimore, oficerët e sigurisë dhe prindërit;
-Trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe ndjekjen me përgjegjësi të çdo problematike;
-Intensifikimin e veprimeve parandaluese dhe operacionale kundër armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacion dhe hetime cilësore.
Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se ecuria në detyrë do të varet nga rezultatet konkrete që do të arrijë secili në punën e tij.





