Korçë – Vijon kontrolli i territorit, për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe për goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas si dhe 1 procedohet në gjendje të lirë.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara në territor, nga Njësia Operacionale e Rendit Publik në DVP Korçë, në fshatin Bulgarec, u konstatuan pa autorizim lëvizje shtetasit G. A., 35 vjeç dhe M. A., 34 vjeç, të cilët gjatë shoqërimit të tyre për në ambientet e Komisariatit, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë. Të dy këta shtetas u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu në aksin rrugor Podgorie-Korçë, u konstatuan duke lëvizur jashtë fashës së lejuar, me mjetin tip “Benz” shtetasi L. J., 35 vjeç, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve për të ndaluar mjetin dhe shtetasi M. Xh., 22 vjeç, pasagjer. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet dhe më pas në banesën e M. Xh., iu gjet dhe sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis si dhe fara kanabis, ku dyshohet se ky shtetas po përgatitej për t’i kultivuar.

Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Xh., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit L. J., për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.