Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza, partneritet, profesionalizëm dhe besim, kundër kultivimit të bimëve narkotike

Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza, partneritet, profesionalizëm dhe besim, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë konferencës së përbashkët ndërmjet 2 agjencive ligjzbatuese, për prezantimin e rezultateve të arrira në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, gjatë vitit 2026, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit iu ka akorduar Letra Mirënjohjeje, Drejtuesit të Lartë të Policisë, z. Lorenzo Bucossi, me detyrë Drejtor i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor, dhe Gjeneral Brigade Giancarlo Franzese, me detyrë Komandant i Repartit të III-të të Operacioneve të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza.

2 Letrat e Mirënjohjes, me motivacionin “Me mirënjohjen dhe vlerësimin më të thellë për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ofruar strukturave të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe për mbështetjen e spikatur në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, në interes të forcimit të sigurisë publike për qytetarët e të dy vendeve”, iu dorëzuan drejtuesve të Policisë italiane, nga Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita.

Vlerësimi i sotëm, dëshmi e partneritetit solid dhe klimës së ngushtë miqësore që shoqëron prej vitesh tashmë, veprimet e përbashkëta operacionale të Policisë së Shtetit dhe GdF.

Drejtor Hita gjatë fjalës së mbajtur në konferencë, garantoi qytetarët dhe partnerët, se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, është e motivuar dhe e angazhuar maksimalisht për të goditur krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti.