Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, për projektbuxhetin e vitit 2027
I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,
Të nderuar deputetë,
Sot paraqesim projektbuxhetin e vitit 2027 për programin “Policia e Shtetit”. Projektbuxheti i Policisë së Shtetit për vitin 2027 përfaqëson një instrument të rëndësishëm për forcimin e sigurisë publike, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe vijimin e procesit të modernizimit të institucionit. Në këtë kuadër, financimi i parashikuar synon të mbështesë jo vetëm funksionimin e përditshëm të strukturave policore, por edhe transformimin e tyre përmes investimeve në burime njerëzore, teknologji, pajisje dhe infrastrukturë.
Mbi këto parime është hartuar dhe projektbuxheti i Policisë së Shtetit për vitin 2027.
Për vitin 2027, projektbuxheti i Policisë së Shtetit parashikohet në masën rreth 30.3 miliardë lekë, dhe duke marrë në konsideratë shtesën që parashikohet për rritjen e pagave të policisë, e cila është 16%.
Buxheti sipas zërave kryesorë të shpenzimeve parashikohet:
-Shpenzime Personeli (paga e sigurime shoqërore), 20.2 miliardë lekë ose 67% e buxhetit në total të Policisë. Në raport me buxhetin e vitit 2026, këto shpenzime kanë një rritje prej 18%;
-Shpenzimet e tjera (mallra, shërbime e transferime), 5.6 miliardë lekë ose 18% e buxhetit të Policisë në total. Në raport me buxhetin e vitit 2026, këto shpenzime kanë një rritje prej 8%;
-Investimet me financim të brendshëm, 2.5 miliardë lekë ose 8% e buxhetit të Policisë në total. Në raport me buxhetin e vitit 2026, këto shpenzime kanë një rritje prej 16%;
-Investimet me financim të huaj, 2 miliardë lekë ose 7% e buxhetit të Policisë në total. Në raport me buxhetin e vitit 2026, këto shpenzime kanë një ulje prej 13%.
• Burimet njerëzore dhe politika e pagave:
Një ndër prioritetet kryesore të buxhetit vijon të jetë mbështetja financiare e punonjësve të Policisë së Shtetit. Rritja e pagave përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në motivimin, profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë e trupës policore.
Punonjësit e Policisë së Shtetit përballen çdo ditë me përgjegjësi të larta dhe me një dinamikë të vazhdueshme të detyrave operacionale, në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike. Për këtë arsye, përmirësimi i trajtimit financiar është një element i rëndësishëm për rritjen e motivimit dhe të përgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës.
Në vlerësim të tavaneve të parashikuara për vitin 2027, si mbështetje financiare më e rëndësishme konsiderohet rritja e pagave të punonjësve me grada në Policinë e Shtetit, e cila per vitin 2027 si asnjëherë me parë është në një rritje dyshifrore.
Nëpërmjet kësaj rritjeje, përfitojnë:
-Punonjësit e Policisë së Shtetit me gradën “Inspektor”, numri i të cilëve është 8 174 ose 73% të punonjësve me grada në total, që përfitojnë një rritje të pagës për gradë, 20 mijë lekë. Duke përfshirë rritjen e pagës për gradë dhe efektin e pagës për vjetërsi shërbimi, rritja mesatare është rreth 27%;
-Punonjësit e tjerë me grada përfitojnë një rritje të pagës për grade, 15 mijë lekë. Duke përfshirë edhe efektin e pagës për vjetërsi shërbimi, rritja mesatare varion nga 8% deri në 17%.
Bazuar në parimin personel i mirëtrajtuar dhe mirëtrajnuar, mbështetja për burimet njerëzore nuk duhet parë vetëm në aspektin financiar, por edhe si një angazhim për rritjen e standardeve profesionale, integritetit dhe llogaridhënies së çdo punonjësi të Policisë në përmbushje të misionit kushtetues.
• Shpenzime Korente (Operative).
Mbulimin e shpenzimeve të personelit dhe në mënyrë të veçantë pagesën e mbikohës së punës dhe orët e natës për strukturat e Policisë së Shtetit;
Mbulimin plotësisht të efektit financiar të kompensimit ushqimor të punonjësve të Policisë së Shtetit, për një vlerë rreth 1 miliard lekë;
Mbulimin e efektit financiar për uniformën e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Mbulimin e shpenzimeve të tjera të domosdoshme për blerje karburanti, riparim e mirëmbajtje mjetesh, shpenzime udhëtime e dieta, pagesën për energji elektrike dhe ujë, riparime e mirëmbajtje pajisjesh e sistemesh të teknologjisë dhe informacionit, blerje materiale e shërbime të tjera të nevojshme për funksionimin normal të punës të strukturave të Policisë.
• Investimet në infrastrukturë:
Përmirësimi i kushteve infrastrukturore ku ushtrojnë veprimtarinë strukturat e Policisë së Shtetit mbetet një tjetër komponent i rëndësishëm i planifikimit buxhetor.
Në këtë kuadër, vijimi i investimeve në ndërtesat policore, komisariatet, drejtoritë vendore dhe strukturat e tjera të shërbimit synon krijimin e kushteve më të përshtatshme për punonjësit dhe ofrimin e një shërbimi më cilësor për qytetarët.
Një rëndësi të veçantë merr nisja e investimit për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, e cila do të mundësojë krijimin e një infrastrukture të re dhe bashkëkohore për një nga strukturat me ngarkesën më të lartë operacionale në vend.
Me synim përmirësimin e kushteve infrastrukturore të DVP Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka planifikuar nisjen e projektit “Ndërtimi i Objektit Multifunksional në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë”.
Objekti i ri është konceptuar për të akomoduar administratën/personelin e DVP Tiranë, me rreth 270 punonjës të përhershëm, ndërsa pjesa tjetër e personelit do të përbëhet nga strukturat e patrullimit të lëvizshëm. Projekti parashikon gjithashtu sistemimin e ambienteve të jashtme dhe ndërtimin e infrastrukturës së ndriçimit të jashtëm. Sipërfaqja totale ndërtimore e objektit të ri është 10 200 m², ndërsa sipërfaqja e përgjithshme e pronës është 4 800 m².
Të tjera investime në infrastrukturë për vitin 2027 janë:
Studim Projektime, në shumën 8.8 milionë lekë e detajuar për projektet;
-Studim Projektim për godinat në Komisariatet e Policisë Tepelenë, Pogradec etj.
-Studim Projektim për Njesinë e Sigurisë Publike Shkodër.
-Studim Projektim i Objektit të DTI.
Ndërtime, në shumën 305 milionë lekë, e detajuar për projektet;
-Leje ndërtimi për Ndërtim/Rikonstruksion e godinës NSH Fier, në shumën 26 milion lekë;
-Ndërtimi i objektit multifunksional të DVP Tiranë, në shumën 279 milionë lekë, e cila do të ketë tashmë një seli të re dhe bashkëkohore.
Rikonstruksione, në shumën 86 milion lekë, e detajuar për projektet:
-Rikonstruksion i godinës së Komisariatit të Policisë Sarandë, në shumën 75 milionë lekë;
-Rikonstruksion i dhomave të shoqërimit në Komisariatet e Policisë në Tiranë dhe në Lushnjë, në shumën 11 milionë lekë.
Investimet infrastrukturore nuk përfaqësojnë vetëm përmirësim të ambienteve fizike, por edhe një domosdoshmëri për rritjen e eficiencës administrative dhe operacionale të institucionit.
• Modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale.
Një tjetër prioritet i rëndësishëm është modernizimi i kapaciteteve logjistike dhe operacionale të Policisë së Shtetit. Zhvillimi i formave të reja të kriminalitetit, përdorimi i teknologjisë nga grupet kriminale dhe nevoja për reagim të shpejtë ndaj situatave të ndryshme kërkojnë pajisje bashkëkohore dhe kapacitete të specializuara.
Në këtë drejtim, fondet e parashikuara për vitin 2027 përfshijnë investime në pajisje speciale, pajisje policore, rinovimin e flotës së automjeteve dhe automjete special, konkretisht:
-Blerje e automjeteve speciale, në shumën 60 milionë lekë;
-Blerje mjetesh transporti për rinovimin dhe kompletimin e flotës së mjeteve rrugore të PSH, në shumën 175 milionë lekë.
Duke synuar përmbushjen e detyrimeve për dhe angazhimeve për rritjen e kapaciteteve operacionale të strukturave të Policisë së Shtetit, në vlerësim të situatave rajonale e globale, fokusuar në luftën kundër krimit dhe terrorizmit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka identifikuar kërkesat themelore për mjetet e transportit, për të cilat është hartuar projekti i plotë.
Projekti në tërësi synon blerjen e mjeteve të ndryshme rrugore, ku ndër më të domosdoshmet për të cilat fokusohet projekt buxheti 2027 do të jenë:
-Automjete speciale;
-Automjete të blinduara.
-Automjete për rinovimin e flotës së Policisë së Shtetit.
• Armatime, në shumën 128 milionë lekë.
Për vitin 2027, është parashikuar të blihen armatime të ndryshme për përdorim policor si:
– Armë zjarri të shkurtra;
– Armë zjarri të gjata;
– Pushkë me përpikëri të lartë;
– Shotgun;
– Pistoleta elektrike etj.
Duke synuar:
– Modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin me efikasitet të detyrave;
– Standardizimin e armatimit sipas kërkesave operacionale të NATO-s dhe BE-së;
– Pjesëmarrjen aktive me struktura të ndërveprueshme me ato të BE dhe UN (NJS RENEA), në operacionet dhe detyra speciale;
– Manovrueshmëri taktike dhe operacionale në çdo lloj terreni dhe situate.
• Pajisje e speciale, në shumën 310.6 milion lekë e detajur për projekte:
Blerje pajisje për Policinë Shkencore, në shumën 110.6 milionë lekë;
Projekti parashikon “Blerje aparaturash dhe pajisjesh shkencore laboratorike për IPSh-në, në përmbushjen e kritereve të standartit ISO 17025 me objektiv akreditimin.
• Pajisje speciale për Policinë Rrugore, në shumën 30 milionë lekë.
• Pajisje për Policinë e Rendit, në shumën 293.4 milionë lekë.
Kompletimi i strukturave me këto pajisje synon përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e sigurisë së personelit, modernizimin e kapaciteteve teknike dhe garantimin e një reagimi sa më të përshtatshëm në përmbushje të detyrave institucionale.
Nga evidentimi i nevojave te strukturave te Sigurise Publike, ky buxhet do adresohet për:
Pajisje mbrojtëse e të përdorimit të forcës, pajisje e sisteme optike, pajisje për Njësitë e Sigurisë Publike, Pajisje për Njësinë Antieksploziv dhe Njësinë e Zhytjes.
• Pajisje e orendi zyrash, në shumën 20 milionë lekë.
Këto pajisje do të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e kushteve për punë dhe jetesë të personelit të Policisë së Shtetit.
• Pajisje të Teknologjisë së Informacionit, në shumën 314.3 milionë lekë, e detajur për projektet;
– Pajisje kompjuterike, në shumën 54 milionë lekë;
– Makineri dhe pajisje për TI (SUICH, RUTER, Pajisje RADIO, etj) në shumën 46 milionë lekë;
– Sistem i Menaxhimit të informacionit të burimeve të Policisë së Shtetit (PRIMS), në shumën 161.4 milionë lekë;
– Pagesë supervizori, sistemi i kamerave në administrim të Policisë së Shtetit – SmartCity, në shumën 45.7 milionë lekë;
– Pagesë kosto lokale për projektin e sistemit të kamerave në administrim të Policisë së Shtetit – Smart City, në shumën 7.2 milionë lekë.
Me qëllim të garantimit të vazhdimësisë operacionale, sigurisë së informacionit dhe përmirësimit të performancës së shërbimeve teknologjike, Policia e Shtetit ka kryer vlerësim të detajuar të infrastrukturës aktuale të sistemeve dhe pajisjeve të TI-së.
Nga analiza e realizuar rezulton se një pjesë e konsiderueshme e sistemeve ekzistuese janë jashtë ciklit optimal të jetës teknologjike, me risk të shtuar për problematika operacionale, ulje performance, mungesë kompatibiliteti (përputhshmërie) bnm, me teknologjitë bashkëkohore dhe rritje të kostove të mirëmbajtjes.
Investimi i parashikuar në projekt buxhetin 2027 do të synojë të adresojnë nevojat e strukturave policore për mjete dhe pajisje më bashkëkohore, duke rritur eficiencën në përmbushjen e detyrave, sigurinë e punonjësve dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
• Investimet në teknologji dhe projekti Smart City
Njëri nga projektet strategjike ku Policia e Shtetit po orienton vëmendjen dhe burimet financiare është projekti Smart City.
Për vitin 2027 parashikohet financim rreth 2 miliardë lekë për këtë projekt, si dhe rreth 1 miliard lekë për TVSH-në përkatëse, krahas fondeve të tjera të lidhura me mbikëqyrjen dhe kostot lokale.
Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm në transformimin teknologjik të Policisë së Shtetit, duke synuar rritjen e kapaciteteve për monitorimin e territorit, administrimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e reagimit operacional.
Përdorimi i sistemeve inteligjente dhe teknologjive të avancuara do të krijojë mundësi për një menaxhim më efikas të informacionit, identifikimin më të shpejtë të problematikave dhe përdorimin më racional të burimeve njerëzore dhe logjistike.
Njëkohësisht, zhvillimi i këtyre sistemeve duhet të shoqërohet me standarde të qarta për mbrojtjen e të dhënave personale, respektimin e privatësisë dhe garantimin e kontrollit institucional.
I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,
Të nderuar deputetë,
Në përfundim, projektbuxheti i vitit 2027 duhet të konsiderohet si një mundësi për të vijuar transformimin e Policisë së Shtetit në një institucion më modern, më profesional dhe më të mirë pajisur.
Investimi në burime njerëzore, teknologji, pajisje dhe infrastrukturë nuk është thjesht një rritje e shpenzimeve buxhetore, por një investim në sigurinë publike, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në besimin e qytetarëve te institucionet.
Objektivi ynë duhet të jetë që çdo fond i vënë në dispozicion të përkthehet në kapacitete konkrete, në rezultate të matshme dhe në një shërbim policor më cilësor dhe më efikas për qytetarët.
Ju faleminderit!
