Drejtues Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike
Përshëndetje!
Nisur nga aktet e shumta të përsëritura të dhunës gjatë protestave të fundit, Policia e Shtetit përsërit apelin për qetësi, përgjegjshmëri dhe shmangien e çdo forme dhune.
Asnjë protestues nuk duhet të kthehet në rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve, të punonjësve të Policisë apo të përfaqësuesve të medias.
Nga informacionet e evidentuara në rrjetet sociale dhe në platformat online, vijojnë thirrjet për grumbullimin e personave të maskuar dhe përdorimin e mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë.
Për këtë arsye, u drejtohemi qytetarëve që marrin pjesë në tubim:
Mos lejoni që e drejta juaj për të protestuar të cenohet nga individë që synojnë përshkallëzimin e dhunës.
Distancohuni nga personat që mbajnë mjete të rrezikshme, që nxisin përplasje apo që tentojnë të sulmojnë punonjësit e Policisë.
Bashkëpunoni me shërbimet policore dhe respektoni udhëzimet që jepen për garantimin e rendit dhe sigurisë.
U bëjmë thirrje prindërve që të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët e tyre dhe të shmangin praninë e të miturve në situata ku mund të rrezikohet siguria e tyre.
Përfaqësuesve të medias u bëjmë thirrje të respektojnë perimetrat e sigurisë, duke i siguruar se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të krijuar kushtet e nevojshme për raportim të lirë dhe të sigurt.
Policia e Shtetit ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit të sotëm. Të gjithë punonjësit e angazhuar janë udhëzuar të veprojnë me vetëpërmbajtje, profesionalizëm dhe në respektim të plotë të parimit të proporcionalitetit.
Protesta paqësore është një e drejtë kushtetuese. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrimi ynë. Ndërsa dhuna, nga kushdo që ushtrohet, është e papranueshme.
Apelojmë edhe një herë për shmangien e akteve të dhunës dhe bashkëpunimin e pjesëmarrësve me Policinë e Shtetit.
Asnjë punonjës policie, asnjë protestues, asnjë gazetar dhe asnjë qytetar nuk duhet të përfundojë i lënduar si pasojë e dhunës.
Ky është qëllimi ynë dhe përgjegjësia që duhet të ndajmë të gjithë.
Faleminderit!
